Në parkun e lodrave
Visar ZHITI
A ke parë grumbuj fëmijësh para një porte të madhe hekuri, të detyruar të presin, a nuk të duket dëshpëruese, sepse ata, sipas meje, kurrë nuk duhet të rrinë në një vend, por të vrapojnë, të luajnë, të bërtasin, të vizatojnë mbi mure, muri është ekspozita e tyre anonime dhe gazmore, të hapin çantën rrëmbimthi, kudo që të ndodhen, në rrugë, në shkollë, në fundin e ndonjë fabule, të grisin një fletë fletoreje a libri, ta bëjnë aeroplan e ta hedhin në ajër, në u futtë në ndonjë dritare të hapur, le të trokasin te të panjohurit, fletën tjetër ta bëjnë varkë, ta lënë të pluskojë në pellgun më të parë a në basenin e ndonjë shatërvani, të lagen edhe vetë, të ngacmojnë, të rrëzohen, le të qajnë, edhe të shajnë, të hipin nëpër pemë, s’ka gjë pse s’dinë të zbresin pastaj, le të hidhen edhe mbi ndonjë çati e le të rrokullisen prej andej ose, në ndodhtë që ajo të çahet, le të bien poshtë, qoftë dhe mbi tryezën e ngrënies në kohën që është shtruar, le t’i mbyllin për gabimin, t’i bindin të mësojnë, t’i nxitin, por jo t’i detyrojnë, aq më tepër të presin, edhe gjatë, është me të vërtetë tronditëse, do të thoja unë, shih, çuditërisht askush nuk po kacavirret mbi portën e madhe të hekurt të Parkut të Lodrave, përkundrazi, tejet të urtë, me një seriozitet të trishtë marionetash, po rrinë, si të përhershëm, po kur do të hapet, guxoi dhe pyeti një vogëlushe me dy dhëmbët e parë të rënë, duhet të ishte hapur, ora kaloi, iu përgjigj një zë tjetër më i rritur dhe vogëlushja ngriti kokën, pikasi sipër saj syze me xhama të trashë, pas të cilëve sytë zmadhoheshin duke e shtuar edhe më pikëllimin e pritjes, s’ka ardhur ai xhaxhi që punon këtu, ah, kështu e kanë të mëdhenjtë, asnjëherë s’bëjnë atë që duhet bërë, dhe i japin rëndësi asaj që s’ka, shtoi me seriozitet një tjetër vajzë, disi e rritur, me një lloj krenarie, sikur të donte të thoshte se merrte vesh edhe nga dashuria, por një dorë e vogël u zgjat e u zgjat, kapi njërin nga drynat, atë më të madhin, të zi e të rëndë, dhe filloi ta lëvizte trokëllitshëm bashkë me zinxhirin që lidhte gjysmën e portës me gjysmën tjetër të saj, u bë e bezdisshme zhurma, e thatë, skeletike, lëre atë fjalim kotnasëkoti, se kush u ankua, ç’ke ti, ne mezi po presim të hapet porta, shiko brenda pas hekurave cirkun, kalin e zura unë, rosën e madhe e dua vetë, aeroplani është imi, tanksin, tanksin mos ma prekni, u dëgjua një thirrje mbi thirrjet si hakërrim dhe hakmarrje njëkohësisht, kurse cirku brenda çrrotullohej vegimshëm, pa kurrkënd, i hiçtë, shtonte ngadalësinë, frushullonte, ajri dhe vapa mbetej po ajo, ke më ujë në shishe, ëhë, mos e mbaro të gjithë, dhe iu kujtua shiu, një shi vogëlush, i vjetshëm dhe çadra-gjysh me njërin tel të thyer si këmbë e thyer lejleku, ah, që s’po vjen, dhe sa do të presim, u mërzita, s’dua të jem fëmijë, zërat sikur po ndryshkeshin, s’e kishin më atë naivitet si të pianove-lodra, ndoshta kishin thirrur në heshtje deri në ngirje, qenë lodhur, një psherëtimë, ah, psherëtimë fëmijërore, pastaj se kush ia shkrepi një kënge të njohur stadiumesh: ah, sa mirë me ken shqiptar, pse, pse, dhe me ta pasuar këngën të tjerët, zëri që e nisi e braktisi i pari, dhe sa do presim, të kishim ikur, por po u hap, punë e madhe, duhej të kishim ikur, jo, se merret për keq, je kundër gëzimeve kolektive, kundër pritjeve të organizuara, mos fol kot si i rritur, mjaftonte të ikte njëri dhe do të iknin të gjithë, shumica, maxhoranca, thuaj, si në TV, me shumicë votash arrihet një ligj ose zgjidhet një president, por nu hapet porta e parkut të lodrave, po mirë, kryetarët prej vërteti janë apo lodra, ka kryetar në cirk që rrotullohet me një fëmijë mbi supe, sa bukur, po kuajt kanë sekretar, as pemët, ah, u lodha tmerrësisht, ikim, presim edhe pak, duhet të vijnë që ta hapin portën, sa kemi pritur nuk do të presim, ndoshta edhe më shumë, të lutem, kur të mbarosh, ma jep dhe mua atë gazetën, s’është e sotmja, s’ka gjë, ohuuu, është e kohës së diktaturës, më kishin mbështjellë pak bukë kur më nisën për këtu, eh, njëlloj janë gazetat, thotë një fqinji im inatçi, ua, po qan ti, pusho, je kaq e bukur, të kam xhan, porta do të hapet, jo, jo, qaj se jam shtazënë, s’e se si më ndodhi këtu dhe s’di ç’të bëj, ja, mos qaj, s’ka kuptim, po vjen dhe muzgu, s’duken as yjet, jo më lotët e tu...
...në mëngjes, teksa po e çonin për në shkollë, fëmija (me krahun në allçi nga shkaku i një frakture) që e kishte zakon të bënte një copë rrugë me kokën të kthyer nga porta e madhe e Parkut të Lodrave, nuk po kuptonte se ç’qe ai grumbull burrash e grash, madje edhe pleqsh që prisnin, ca bënin ecejake, ca edhe qenë shtrirë, madje mjekra e njërit qe përzier me flokët e gjatë të njërës, qenë kokolepsur këmbët, krahët, pritja, ec se jemi vonë, mami, shiko, te porta kanë zënë radhën, janë çuar herët... prindërit... as unë s’dua të shkoj në shkollë, mamaja s’përgjigjet, pu-pu, sikur të më plaket djali ashtu si ata, te porta, duke pritur, më ço në cirk, të luaj, nuk vij, nxito, të keqen mami...
...dhe ajo portë e hekurt, vjetrane, e kalbëzuar nga shirat e vjeshtave dhe nxehtësitë e verave, por që lartësohej ende, dukej si gjëja më absurde në botë, e vetmuar, pa asnjë ngrehinë a mur rrethues anash, që s’ndante e s’mbyllte asgjë nga pas saj, veç vazhdonte djerrina që shtrihej po aq njëlloj si dhe para saj, pa asnjë udhë që të çonte tek ajo, dhe thonin se dikur këtu kishte qenë varreza jomonumentale e qytetit, jo, nga ana këtej e portës, kundërshtonin, se aty rroposën në fillim, jo në fund, ca njerëz që prisnin, duruan dhe duruan gjithë jetën, me breza, që të hapej pikërisht kjo portë, që kurrë s’u hap, aty vdiqën dhe që atëherë varret e tyre u quajtën varreza e pritanikëve, po pse, a s’është njëlloj vdekja, kalbja dhe bari i saj përsipër edhe për ata që s’pritën, heronjtë, eh, nejse, ata donin të shkonin në anën andej të portës, nga paasgjëja e hershme, te kujtimhumbja e tanishme, se vërtet s’mbahej mend ç’kishte dhe ç’donin.
28 Korrik 2008