Spiunim me entuziazmin e Poetit
Meqë i humba iluzionet, fillova t’i shoh gjërat me njëfarë distance. Ndërkohë që poeti lirik gjithmonë identifikohet me ndjenjat e tij, qëndrimi antilirik është mungesa e besimit ndaj ndjenjave vetjake dhe ndaj atyre të të tjerëve. Qëndrimi antilirik është bindja se ekziston një distancë e pakufizuar midis asaj që besojmë se jemi dhe asaj që jemi në realitet. Pra, një distancë e pakufizuar midis asaj që njerëzit dëshirojnë të jenë, që mendojnë se janë dhe asaj që janë në të vërtetë. Për të kuptuar këtë mospajtim, do të thotë që të triumfosh mbi iluzionet lirike, do të thotë të kuptosh artin, thelbin e ironisë. Por ironia është perspektiva e romanit. Romani është art thellësisht antiideologjik, sepse ideologjia gjithmonë prezanton vetëm një pikëpamje, një të vërtetë, që e paraqet si ilustrim të sajin. Romani kundërshton nënshtrimin nga cilado ideologji e kohës sonë, hedh poshtë pjesëmarrjen në thjeshtëzimet ideologjike, gjithnjë e më brutale e më të dukshme, gjë që nuk është neutralitet, por sfidë. Kjo ndodh sepse, në këtë mënyrë, romani vë në pikëpyetje rendin ekzistues të vlerave, interpretimin ekzistues të normales, interpretimin e sistemit dhe të ideve të gatshme. Prandaj e përsëris se roman është art antiideologjik dhe se botës sonë tmerrësisht të ideologjizuar i duhet si buka. Romani nuk mund të të shpjerë vetëm në një përgjigje, por përpiqet t’i arrijë të gjitha të vërtetat, gjithçka është e njohur, në mënyrë që prej tyre të stiset problemi. Ai rrëmben të gjitha përgjigjet, në mënyrë që ato t’i shndërrojë në çështje. Pra, të shkruash një roman, do të thotë të formulosh një pyetje. Ndërkohë, të krijosh heroin, do të thotë të jetosh me dikë tjetër, të dalësh jashtë vetes, të jetosh me heronj që mendojnë ndryshe, të përfshish e të vësh përballë mendime të ndryshme, ky është kuptimi i romanit. Ai është shkollë e madhe e tolerancës. Fryma e romanit nuk është ndonjë predikim i së vërtetës, por një ripërcaktim i pandërprerë i njeriut si problem. Milan KUNDERA Me muzikë jam marrë në rininë e herëshme, pranë babait që ishte pianist. Më pas kam shkruar poezi, por në një çast pushova së dashuri ato. Kjo që më ka ndodhur, nuk është aq e jashtëzakonshme. Mund të thuhet se ishte rruga klasike e një krijuesi gjatë kohës së revolucionit, i cili është një lloj kurthi për një poet të ri. Unë jam i mendimit se jam nga shkrimtarët e rrallë që mbaj një qëndrim shumë kritik ndaj rinisë sime, sepse ajo është një periudhë e vështirë, e dhimbshme, e ndërlikuar, kur njeriu kërkon fytyrën e vet dhe revplucioni ia ofron. Fakti që të rinjtë janë të ndjeshëm ndaj thirrjes së revolucionit, nuk ka të bëjë as me arrivizmin e as me ideologjinë, por vetëm me pamjen që ai i jep revolucionarit. Ajo është një pamje e mrekullueshme, madhështore, burrërore, e fortë dhe e tmerrshme. Kështu, djaloshi adhuron veten duke u parë në pasqyrën e revolucionit. Prandaj, ky aspekt egocentrik i lirikës luan një rol të rëndësishëm në psikologjinë e një revolucionari të ri. ROMANI – SHKOLLË TOLERANCE Braktisja e poezisë për shkak të prozës nuk është një kalim i thjeshtë nga një gjini në tjetrën. Nuk e kam braktisur poezinë, por e kam neveritur atë, sepse për mua poezia lirike nuk është vetëm gjini letrare. Para së gjithash, ajo është të kuptuarit e botës, qëndrim i njohur ndaj saj. Unë e kam braktisur atë botë, ashtu siç braktiset feja. Por, meqë i humba iluzionet, fillova t’i shoh gjërat me njëfarë distance. Ndërkohë që poeti lirik gjithmonë identifikohet me ndjenjat e tij, qëndrimi antilirik është mungesa e besimit ndaj ndjenjave vetjake dhe ndaj atyre të të tjerëve. Qëndrimi antilirik është bindja se ekziston një distancë e pakufizuar midis asaj që besojmë se jemi dhe asaj që jemi në realitet. Pra, një distancë e pakufizuar midis asaj që njerëzit dëshirojnë të jenë, që mendojnë se janë dhe asaj që janë në të vërtetë. Për të kuptuar këtë mospajtim, do të thotë që të triumfosh mbi iluzionet lirike, do të thotë të kuptosh artin, thelbin e ironisë. Por ironia është perspektiva e romanit. Poezia, rinia dhe revolucioni janë tri mitet e mëdha të kohës sonë. Por papritur i pashë ato të çmitizuara, sepse misioni më i madh dhe më i rëndësishëm i shkrimtarit është çmitizimi i pandërprerë i iluzioneve, nën hipnozën e të cilave jetojmë sot. Jaromili im vdiq në moshën njëzetvjeçare (personazh i autorit – shën. i red.). Ai ishte shumë i talentuar e mbante qëndrim si shumë poetë të mëdhenj. Nëpërmjet tij, unë kam dashur të çmitizojë poezinë, sepse nga miti ajo shihet si vlerë absolute. Sipas mitit, poeti nuk mund të jetë denoncues, siç ndodh me Jaromilin tim. Pa bërë skandal të madh, njerëzit e pranojnë që një filozof i madh simpatizon fashistët, që një luftëtar i madh të bëhet i neveritshëm, apo që një shkencëtar gjenial të shndërrohet në një qyqar. Por ata nuk e pranojnë që një poet i madh, një krijues origjinal, të bëhet tradhtar dhe spiun. Por unë këtë gjë e kam parë personalisht dhe nga afër, sesi poetë të mëdhenj bëjnë gjëra shumë më të tmerrshme se Jaromili im. Dhe këto i bënin jo në kundërshtim me gjenialitetin e vet, por për ta ndihmuar atë, gjë që duhet kuptuar. Jaromili im shkon të tradhtojë vëllanë e së dashurës së vet, jo si një njeri i keq, por me tërë entuziazmin origjinal të një poeti. Gjenia e tij poetike mori pjesë plotësisht në aktin e tradhtisë. Mos harroni se krimet më të mëdha në histori janë shoqëruar me melodi e vargje frymëzuese. Libri im është një përpjekje për të përshkruar qëndrimin e poetit, pikëpamjen e lirikës dhe konceptimin lirik të botës si fenomen. Poeti del nga shtëpia e grave. Unë kam lexuar biografitë e shumë poetëve dhe ata i karakterizon mungesa e baballarëve. Disa nëna i kanë mbrojtur më tepër seç duhet djemtë-poetë, siç ka bërë nëna e Bllokut, e Rilkes, e Oskar Uajdlit, nëna e poetit revolucionar çek Volker apo e Rembosë, që ishte tepër e ftohtë. Kështu e kam përcaktuar definicionin e poetit: ai është një djalosh që drejtohet nga e ëma, që kryen ekzibicione (eksitim i vetes) para botës, ku nuk di të hedhë hapat. Në fillim, pas grushtit të shtetit të vitit 1948, në Pragë një pjesë e madhe e popullit u mashtrua nga magjepsja e iluzioneve lirike. Por më pas, bashkë me proceset staliniste, filloi terrori. Tronditja ishte e tillë, sa besimi u tret në çast, kështu që dekompozimi i stalinizmit, siç e quaj unë, filloi pikërisht nga ky zhgënjim, dhe iluzionet u zhdukën me shpejtësi. Kjo përfshiu tërë shoqërinë, aq sa ndërduarshëm u shndërrua në një hare, të cilën unë e kam quajtur hare skepticizmi. Ky kalim nga qëndrimi lirik në atë epik ishte i gjatë. Në një çast të caktuar e kuptova se nuk isha më në gjendje të shkruaja poezi. Prandaj proza ime e parë, që ishte një novelë, solli ndryshimin tim radikal, duke zbuluar “unin” tjetër, “unin” ironik. Shkolla lirike është e domosdoshme për një romancier modern. Pikërisht poezia lirike ka sjellë risi të mëdha, duke filluar që nga Bodleri deri te surrealistët. Ajo ka sjellë një fantazi të çliruar, një shprehje të ngjeshur, aftësi evokuese dhe frymëzimin nga një figurë. Unë dua që çdo pjesë e romanit tim të jetë e fortë, e koncentruar dhe shprehëse si një poemë. Por ajo që tek unë përbën vendimtaren, është perspektiva e së tërës, e cila përmban perspektivën e ironisë, perspektivën e çmitizimit, perspektivën e “relativizmit”, të së vërtetave dhe e perceptimit të pikëpamjeve. Me një fjalë, një qëndrim antilirik. JO NEUTRALITET, POR SFIDË Romani është art thellësisht antiideologjik, sepse ideologjia gjithmonë prezanton vetëm një pikëpamje, një të vërtetë, që e paraqet si ilustrim të sajin. Romani kundërshton nënshtrimin nga cilado ideologji e kohës sonë, hedh poshtë pjesëmarrjen në thjeshtëzimet ideologjike, gjithnjë e më brutale e më të dukshme, gjë që nuk është neutralitet, por sfidë. Kjo ndodh sepse, në këtë mënyrë, romani vë në pikëpyetje rendin ekzistues të vlerave, interpretimin ekzistues të normales, interpretimin e sistemit dhe të ideve të gatshme. Prandaj e përsëris se roman është art antiideologjik dhe se botës sonë tmerrësisht të ideologjizuar i duhet si buka. Romani është problem i jetës sime. Ajo që në mënyrën më intime më lidh me aventurën e madhe të romanit, është lëvizja e pandërprerë që gjendet në implikimin e subjektivizmit të vet në objektivitetin enigmatik të botës që na rrethon. Romani është hulumtim këmbëngulës që të kuptohet ai tjetri dhe ky konceptim na ndihmon që të njohim vetveten. Romani nuk mund të të shpjerë vetëm në një përgjigje, por përpiqet t’i arrijë të gjitha të vërtetat, gjithçka është e njohur, në mënyrë që prej tyre të stiset problemi. Ai rrëmben të gjitha përgjigjet, në mënyrë që ato t’i shndërrojë në çështje. Pra, të shkruash një roman, do të thotë të formulosh një pyetje. Ndërkohë, të krijosh heroin, do të thotë të jetosh me dikë tjetër, të dalësh jashtë vetes, të jetosh me heronj që mendojnë ndryshe, të përfshish e të vësh përballë mendime të ndryshme, ky është kuptimi i romanit. Ai është shkollë e madhe e tolerancës. Fryma e romanit nuk është ndonjë predikim i së vërtetës, por një ripërcaktim i pandërprerë i njeriut si problem. Papërcaktueshmëria, kuptimi i shumëfishtë, përbëjnë atmosferën që i duhet romanit. Realitetit i duhet dhënë dimension empirik, për ta bërë sa më real. Ky është konceptimi i trashëgimit estetik nga Kafka. Pra, duhet krijuar një botë autonome, ku ndeshja e së besueshmes me të pabesueshmen është plotësisht e natyrshme. “Jeta është diku tjetër”, para së gjithash, është përplasje e reales me irrealen dhe zgjidhja e saj... Përshkrim i një jete do të thotë zgjerimi i mundësive tuaja, i aftësisë suaj krijuese dhe i formulimit të pyetjes: ç’është njeriu, çfarë mund të krijojë dhe realizojë ai? Romani duhet ta paraqesë jetën më komplekse nga ç’e shohim ne. Në të vërtetë, ai e paraqet kompleksitetin e gjërave e të njerëzve. SHAKAJA DHE FATI Nisur nga fakti se nuk ka libra të mjaftueshëm që të dëshmojnë historinë e atdheut tim gjatë tridhjetë viteve të fundit, “Shakaja” me të vërtetë ka funksionin e dëshmisë historike. Libri e kryen atë rol pothuajse në kundërshtim me vullnetin tim, ndërkohë që, para se ta bënte, as që kam qenë i ndërgjegjshëm. Ajo që më interesonte mua nuk ishte përshkrimi historik, por problemet, siç ishin ato metafizike, ekzistenciale dhe antropologjike. Me një fjalë, shumica e të ashtuquajturave probleme njerëzore, të ndriçuara nga projektori i situatës historike konkrete. Për shembull, i tërë romani merret me problemin e hakmarrjes. Ludvigu takon bashkëshorten e njeriut që, para pesëmbëdhjetë viteve, ishte bërë shkak për fatkeqësinë e tij: përjashtimin nga partia, gjashtë vjet punë të detyrueshme dhe fund i karrierës së tij shkencore. Atë e tërheq kjo grua për arsye të urrejtjes. Ai bën dashuri me të për të poshtëruar kundërshtarin e vet. Duket qartë sesi shakaja kthehet në fatalitet dhe sesi fati shndërrohet në shaka. Por edhe vetë ngjarja, vallë, a nuk po bën edhe ajo shaka? Në roman ka edhe një linjë tjetër dashurie. Në rininë e vet Ludvigu kishte dashuruar një vajzë të thjeshtë, e cila nuk kishte dashur t’i jepej, sepse kur kishte qenë fare e re në moshë, ishte tronditur shumë nga një përdhunim. Për vajzën dashuria fizike perceptohej e lidhur me brutalitetin dhe egërsinë, ndërsa dashuria e vërtetë si një gjendje jashtë trupit. Dashuria fizike për të ishte shndërruar në diçka të zymtë. Dikur Ludvigu kishte pëlqyer socializmin e tij utopik, por realizimi i tij doli i ashpër dhe i përgjakshëm. Socializmi utopik duket diçka boshe, prandaj Ludvigu e urren atë ëndërr të vjetër, por në të njëjtën kohë e di se ajo urrejtje është një tjetër mangësi, një tjetër padrejtësi: a duhen urryer vlerat e shkatërruara? A duhen mbrojtur ato nga keqardhja? Pra, të tëra këto janë të ngatërruara në këtë vepër. Ky është roman i brishtësive të vlerave njerëzore dhe jo roman që damkos një regjim politik kalimtar. Përktheu Nikolla Sudar
28 Korrik 2008