Apokalips në Shkodër, vendi nën ujë, banorët lënë banesat
Artan CENA
SHKODËR - Apokalips mund të quhet situata në të cilën ndodhet Shkodra dhe qytetarët e saj. Prej ditësh ata ndodhen në alarm nga lumenjtë, por dje, pas çdo ore, niveli i ujit rritej në mënyrë të shpejtë. Siç kanë bërë të ditur burimet zyrtare, deri mbrëmjen e djeshme janë evakuuar më shumë se 1 mijë persona nga fshatrat që rrethojnë qytetin verior. Gjithashtu, më shumë se 750 banesa janë të përmbytura nga uji. Ndërsa sipërfaqja e tokës nën ujë është shumë herë më e madhe, mbi 10 500 hektarë. Shifrat e situatës dramatike janë bërë të ditura nga Qendra e Emergjencave Civile, që tani është zhvendosur në qytetin e Shkodrës. Për të monitoruar situatën janë ngritur disa grupe emergjencash me në krye ministrat e kabinetit qeveritar.
PËRMBYTJET
Reshjet e shiut kanë nxjerrë nga shtrati ujërat e lumenjve Buna dhe Drin, që rrethojnë kryeqendrën veriore. Në lagjen “Xhabije”, hyrja e qytetit, uji ka vërshuar më shumë se 500 metra brenda qytetit. Që nga mëngjesi nuk është lejuar lëvizja e automjeteve të vogla në lagjen “Xhabije”. Nën ujë është e gjithë zona nga lagjja “Xhabije” në hyrje të Shkodrës, deri te Harku i Bërdicës, pjesë e aksit nacional Shkodër-Tiranë, që është i bllokuar dhe nuk kalohet nga asnjë lloj mjeti, as ai i tonazheve më të rënda. Gjithashtu është izoluar dhe zona e Shirokës dhe Zogajt në drejtim të Velipojës. Rruga drejt Muriqanit është bllokuar, por jo vetëm kjo. Sipas të dhënave zyrtare, një pjesë e madhe e rrugëve në rrethin e Shkodrës dhe Malësisë së Madhe janë të bllokuara.
SHIFRAT E REJA
Mbrëmjen e djeshme janë bërë publike shifrat e reja të sipërfaqeve të përmbytura dhe banesave që janë nën ujë. Komiteti i Emergjencave në Shkodër ka bërë të ditur se tashmë numërohen mbi 10 500 hektarë tokë bujqësore tërësisht nën ujë. Më shumë se 750 shtëpi janë të përmbytura, ndërsa mbi 1500 të tjera të izoluara nga prania e ujit. Sipas zonave, situata është e tillë: komuna Dajç, Ana e Malit, Velipojë, Bushat e Gur i Zi rezultojnë të përmbytura dhe hyrja në to mund të bëhet vetëm me varka, pasi as automjetet e mëdha nuk mund të qarkullojnë më. Ndërkohë, rritja e nivelit të ujit në zona të tjera ka bërë që uji të depërtojë thellësisht në periferi të Shkodrës. Mësohet se në lagjet Ajasëm, Bahçallëk, Livadhe, Salo Halili e Xhabiaj mund të lëvizet vetëm me varka.
NJERËZIT E EVAKUUAR
Ndërkaq vazhdon evakuimi i banorëve. Gjatë ditës së djeshme janë zhvendosur mbi 317 familje, ndërsa vazhdon evakuimi nga vetë banorët, ushtria, si dhe policia. Madje, sipas Shtabit të Emergjencave në Shkodër, operacioni i evakuimit do të vazhdojë përgjatë gjithë natës duke u gdhirë dita e sotme, kryesisht në zonat kritike.
Helikopterët evakuojnë banorët me probleme shëndetësore
SHKODËR - Shtatë helikopterë janë ulur dje në Shkodër, me qëllim evakuimin e banorëve të zonave të përmbytura në këtë qark, që dy ditë më parë u shpall nga qeveria si zonë në gjendje të fatkeqësisë natyrore. Helikopterët fillimisht evakuuan banorët me gjendje shëndetësore të rënduar në komunën e Dajçit, Anës së Malit, Velipojës, Bushatit dhe Berdicës, ku përveç fluturimeve, asnjë lloj qarkullimi nuk është i mundur. Në këto zona, banorët njoftojnë qendrën operacionale në Prefekturë për shqetësimet që kanë dhe ajo nis urgjentisht helikopterin në zonën përkatëse. Të sëmurët zbriten në fushën e stadiumit të Shkodrës, ku janë vendosur helikopterët dhe ambulancat, të cilat i përcjellin në spital.
Përmbytjet dhe rrugët e bllokuara
Zonat e përmbytura
Në livadhe (lagjet “Kiras”, “A.Haxhia”, “S.Halili”) ka pasur rritje të nivelit të ujit.
Në hyrje të qytetit uji është afruar te katet e para të pallateve në lagjen “Xhabije”.
Në lagjet “Ajasëm” dhe “Bahçallëk” ka rritje të ujit, përmbytje të oborreve.
Komuna Ana e Malit
Në fshatin Obot komunikimi bëhet vetëm me mjete lundruese.
Në këtë komunë në fusha është e përmbytur rreth 90% e sipërfaqes.
Komuna Dajç
Në këtë komunë janë përmbytur fshatrat Shirq, Mushan e Darragjat.
Komuna Velipojë
Në fshatin Baks i Ri uji ka përmbytur tokat e fshatit.
Uji ka kaluar sipër argjinaturës së Çasit.
Komuna Bushat
Si pasojë e gërryerjes së lumit Drin rrezikohen 11 shtëpi në fshatin Ashtë.
Janë përmbytur rreth 60 shtëpi në Malin e Jushit.
Të dëmtuara 3 kanale kulluese.
Rrezikohen 12 shtëpi në fshatin Rranza dhe 20 shtëpi në fshatin Kosmaç.
Në rrethin Malësisë së Madhe
Aksi i rrugës Tamarë-Vermosh i kalueshëm me vështirësi
Aksi i rrugës Tamarë-Vukël është i pakalueshëm nga shembjet.
Në rrethin Pukë
Aksi i rrugës Fushë-Arrëz - Iballë është i pakalueshëm nga shembjet.
Evakuimet nga Shkodra
Në fshatin Obot janë evakuuar 15 familje me 80 persona.
Po kështu janë evakuuar edhe 21 krerë bagëti (11 lopë dhe 10 derra).
Në lagjen “Kiras” janë evakuuar 21 familje me 86 persona.
Në lagjen “Ahmet Haxhia” janë evakuuar 7 familje me 28 persona.
Në Trush i Poshtëm janë evakuuar 60 familje me 200 persona.
Janë evakuuar dhe 600 krerë (200 lopë, 300 derra dhe 100 dele).
Nga Mali i Jushit janë evakuuar gjithsej 400 krerë (100 lopë, 100 derra dhe 200 dele).
Nga fshati Kuç janë evakuuar 35 familje me 120 persona.
Nga ky fshat janë evakuuar edh 100 krerë lopë.
Nga komuna Bërdicë janë evakuuar 70 familje me 290 persona, si dhe 200 krerë lopë.
Nga Komuna Dajç janë evakuuar 35 familje me 130 persona, si dhe 100 krerë lopë.
Rrugët e bllokuara
I bllokuar totalisht aksi nacional Shkodër-Tiranë, tek Harku i Bërdicës.
Bllokim në rrugën Shkodër-Velipojë në vendin e quajtur Ura e Gjolulit.
Rruga për në fshatin Obot i Vjetër është e pakalueshme nga automjetet.
Aksi rrugor Shkodër-Kirë-Mali i Shoshit-Komuna Shalë kryhet me vështirësi.
Aksi rrugor Bogë-Theth është i pakalueshëm (në Qafë Terthorë ka 1 m borë).
Aksi rrugor Breg Lumi-Theth është i bllokuar si pasojë e shembjes së rrugës.
Batica detare sjell përmbytje në Shëngjin
LEZHË - Batica detare ka përmbytur e dëmtuar mure rrethuese e njësi tregtare në Shëngjin dhe Kune të Lezhës. Fatmirësisht gjatë shembjes se objekteve nuk ka pasur të lënduar. Uji ka përmbytur disa banesa dhe ka rrethuar dhjetëra të tjera, pasi niveli në oborre arrin në 40 centimetra. Shumë banorë kanë braktisur shtëpitë dhe janë strehuar tek të afërmit në Lezhë dhe fshatra të tjerë. E pakalueshme që nga mëngjesi është edhe rruga Shëngjin-Kune. Në alarm janë edhe banorët që jetojnë në fushën e Torovicës, që ndan Lezhën me Shkodrën, pasi i druhen shkatërrimit të argjinaturës së lumit.
3 Dhjetor 2010