Meta: “Serbia partnere e rëndësishme në bashkëpunimin rajonal”
Ervin KOÇI
Zhvillimet e reja në rajon kanë sjellë dhe një tjetër këndvështrim të marrëdhënieve me fqinjët. Në këtë optikë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Ilir Meta ka deklaruar dje se, “Shqipëria e shikon Serbinë si një partnere shumë të rëndësishme për bashkëpunimin rajon dhe për integrimin evropian të gjithë rajonit”. Deklarata e kreut të qeverisë u bë gjatë takimit për “Ditën e Ekonomisë së Serbisë”, organizuar nga Ambasada e Serbisë në Tiranë. Ministri Meta, vlerësoi faktin se sipërmarrjet serbe dallohen për eksperiencën dhe ambicien e tyre dhe theksoi se, sipërmarrësit shqiptarë janë po kaq vitalë dhe do të jenë partnerë shumë të mirë lokalë për biznesin serb. Gjithashtu, zëvendëskryeministri Meta shprehu dëshirën që marrëveshjet në proces mes Shqipërisë dhe Serbisë të nënshkruhen sa më shpejt, në mënyrë që të krijohet i gjithë kuadri i plotë ligjor për të operuar në fushën e sipërmarrjeve dhe investimeve.
Marrëdhëniet
Meta u shpreh se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë po fitojnë një dinamikë gjithnjë e më të qartë, pasi integrimi evropian i dy vendeve dhe i gjithë rajonit është një objektiv i përbashkët. “Marrëdhëniet midis dy vendeve në të kaluarën kanë qenë tepër të vështira, por sot ato jo vetëm që janë mese të normalizuara, por edhe po fitojnë një dinamikë gjithnjë e më të lartë, pasi ne kemi vendosur një objektiv të përbashkët që është integrimi evropian i vendeve tona dhe i vendeve të rajonit tonë”,- u shpreh ai. Kreu i Ekonomisë theksoi se, kjo mënyrë e ndërtimit të marrëdhënieve kërkohet dhe nga biznesi mes dy vendeve. “Kjo frymë konstruktive dhe pro evropiane është më shumë se e dëshiruar, në radhë të parë, nga biznesi, sepse biznesi kërkon më shumë se kushdo tjetër stabilitet dhe bashkëpunim, si kusht për një zhvillim të shpejtë dhe të suksesshëm të sipërmarrjeve”,- tha Meta. Ai vlerësoi faktin se sipërmarrjet serbe dallohen për eksperiencën dhe ambicien e tyre dhe theksoi se, sipërmarrësit shqiptarë janë po kaq vitalë dhe do të jenë partnerë shumë të mirë lokalë për sipërmarrësit e shtetit serb. Meta u shpreh që marrëveshjet në proces mes Shqipërisë dhe Serbisë të nënshkruhen sa më shpejt, në mënyrë që të krijohet i gjithë kuadri i plotë ligjor për të operuar në fushën e sipërmarrjeve dhe investimeve.
Vizat me Serbinë
Numri dy i qeverisë u shpreh se pas heqjes së vizave nga Tirana e njëjta gjë pritet edhe nga Beogradi. “Që nga prilli i këtij viti Shqipëria hoqi vizat për të gjithë qytetarët e Serbisë dhe besojmë që, edhe pse me vonesë heqja e vizave nga Serbia për shqiptarët, përsëri kjo t’i japë një impuls marrëdhënieve bilaterale. Unë do të shpresoja dhe besoja se një lidhje e drejtpërdrejtë ajrore Tiranë-Beograd do të jetë e shpejtë”,- tha Meta. Duke u ndalur te marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, Meta shprehu besimin se brenda pak vitesh ato do të jenë të shkëlqyera, ashtu sikurse janë sot marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Meta garantoi biznesmenët serbë për mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare, duke shprehu bindjen se e ardhmja e Ballkanit është bashkëpunimi, gjë që më mirë se kushdo e kupton biznesi.
BOX////////////////////////////
Tregtia, ekonomia humb 27 miliardë lekë
Nuk ka të ndalur thellimi i deficitit tregtar, i cili vijon të mbetet në shifra të larta edhe në muajin tetor. Instituti i Statistikave raportoi dje shifrat e tregtisë me jashtë, ku rezulton një humbje për ekonominë shqiptare në nivelin e rreth 27 miliardë lekëve. Sektorët e prodhimit të energjisë dhe mineraleve kanë mundur të japin efekte pozitive në bilancin tregtar, duke zbutur nivelin e deficitit për muajin tetor. Konkretisht, eksportet regjistruan një vlerë mallrash prej 14 miliardë e 456 milionë lekësh, me një rritje me 5.1 për qind në krahasim me shtatorin dhe rritje me 50 për qind në krahasim me tetor 2009, pra me një vit më parë. Sa u takon importeve, niveli i tyre shënoi shumën e 41 miliardë e 466 milionë lekë mallra me rritje 1.2 për qind në krahasim me një muaj më parë dhe me rritje 10.5 për qind në krahasim me tetorin e vitit të kaluar. Në këto kushte, deficiti tregtar i muajit tetor është rreth 27 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 0.8 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një ulje prej 3.2 për qind krahasuar me tetor 2009.
Shkurt//////////////////////////
Kosova e treta në Evropë për rritje ekonomike
Kosova për nga rritja ekonomike zë vendin e tretë në Europë, sipas ”World Economic Outlook” dhe “Regional Economic Outlook” të publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Me një normë mesatare të rritjes 5.39 për qind për vitin 2010 dhe 2011, ajo radhitet menjëherë pas Bjellorusisë, e cila do të ketë rritje 6.92 për qind dhe Turqisë me 5.84 për qind. Nëse merren parasysh parashikimet e FMN-së për vitin 2011, Kosova me një rritje ekonomike prej 5.9 për qind radhitet e dyta, pas Bjellorusisë, e cila do të ketë normë të rritjes 6.2 për qind. Kjo rritje vjen pas recesionit që vjet kishte përjetuar Evropa, sado që edhe në vitin 2009 Kosova ishte në mesin e pesë vendeve evropiane që kishte një ngritje pozitive, thuhet në raportin e FMN-së. Ministri në largim i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, tha se vlerësimet e tilla na bëjnë të ndihemi krenar, posaçërisht kur ato vijnë nga një institucion i besueshëm si është FMN-ja. Sipas tij, parashikimet e FMN-së, janë të përafërta me parametrat e planifikuara nga Qeveria e Kosovës. Në bazë të Kornizës Makroekonomike të Kosovës dhe zhvillimeve ekonomike në përgjithësi, është vlerësuar se për vitet 2010 dhe 2011 kontribut më të madh në rritjen ekonomike do të kenë: Rritja e konsumit privat, i cili do të kontribuoj me një mesatare 2 për qind, ku rritja e konsumit privat do të jetë më e lartë sesa ajo e konsumit publik; rritja e investimeve publike dhe private, të cilat do të kontribuojnë me 2 për qind në këtë rritje si dhe rritja e eksporteve që do të kontribuoj mesatarisht 1 për qind.
Valutat, pas euros edhe dollari forcohet ndaj lekut
Pas monedhës euro, tashmë i takon dollarit amerikan të fitojë terren ndaj lekut. Në dy javët e fundit shikohet një tendencë shqetësuese e rritjes së çmimit të dollarit në raport me lekun, me të paktën 6.5 për qind, ose rreth 7 pikë më shumë. Referuar kursit zyrtar të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, ditën e djeshme, dollari u këmbye me mbi 104 lekë, nga 97 lekë që ishte rreth dy javë më parë. Kurse euro ka pësuar një ulje të butë, duke u kuotuar me 138.61 lekë, nga 139.41 lekë që ishte në fillim të javës së kaluar. Megjithatë, sipas BSH-së, ecuria e kursit të këmbimit parashikohet të jetë më e qëndrueshme, e mbështetur nga raporte më të balancuara të kërkesës e të ofertës për valutë. Sipas saj, qëndrueshmëria në rritje e kursit të këmbimit ka ndikuar në ngadalësimin e inflacionit të importuar. “Reduktimi i normës totale të inflacionit në këtë muaj i dedikohet në një masë të madhe shuarjes së efekteve të rritjes së disa prej çmimeve të administruara një vit më parë”,- tha tre ditë më parë guvernatori Ardian Fullani, duke shtuar se nuk ka asnjë spekulim ndaj tregut të valutave.
27 Nentor 2010