Prurjet në Drin në rekordet historike, KESH: “Shkarkimet, të detyrueshme”
Prurjet e mëdha të Drinit detyruan KESH-in që të hapte portat e shkarkimeve të HEC-eve në kaskadë
Ervin KOÇI
Prurjet që kanë sjellë reshjet e shirave në të gjithë pellgun ujëmbledhës të lumit Drin, kanë shënuar rekorde historike. Specialistët më të mirë të hidrocentraleve, e kanë konsideruar këtë intensitet prurjes si më të lartin në të gjithë historinë e kaskadës së Drinit. Nga hidrocentrali i Vaut të Dejës, Kreu i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Ëngjëll Zeqo, i quan “të papara” prurjet në kaskadën e Drinit. Këtë deklarata e ka përforcuar edhe ajo e bërë dje nga ai që me plot gojë mund të quhet si “babai i digave”, Prof. Dr. Faradin Hoxha. Edhe ai ka thënë se prurjet në kaskadën e lumit Drin kanë qenë vërtet më të mëdhatë e ardhura ndonjëherë, që nga koha kur mbi të u ndërtuan tre HEC-et e mëdhenj. “Prurjet që kanë ardhur këtë herë janë historike dhe nuk diskutohet më hapja e portave. Kaskada e Drinit duhet administruar me rigorozitet dhe kujdes të madh”,- deklaroi për gazetën “Albania”, inxhinieri i digave, Prof. Dr. Farudin Hoxha. Sipas tij, askush nuk mund të matet me furinë e lumenjve, e për më tepër me një lum si Drini që është në maksimumin e prurjeve të tij. Por inxhinier Hixha mendon se në asnjë rast kaskada e Drinit nuk është përgjegjese për përmbytjet, përkundrazi, ajo është një element rregullator e cila nuk lejon zmadhimin e katastrofës së deritanishme.
Kaskada
Sipas inxhinier Hoxhës, siguria e digave, e portave, si dhe e gjithë përbërësve e sistemit aktual hidroenergjetik në kaskadën e Drinit është e plotë. Sipas tij, ndërtimi i liqeneve të HEC-eve mbi Drin ushtron një rol pozitiv në një situatë aktuale, pasi zbut prurjet, që do të ishin shumë më katastrofike për zonën fushore në perëndim të vendit. Ai mendon se në një kohë që moti po karakterizohet nga një lagështi e madhe dhe reshje të mëdha, KESH-i po e realizon më së miri menaxhimin e një situate të jashtëzakonshme për të cilën korporata nuk ka se ç’të bëjë më tej. “KESH-i nuk mund të bëjë mrekullira, sistemi i ujëmbledhësve arrin të reduktojë aq sa mundet, por nuk mund të shmangë krejtësisht prurjet shumë të mëdha të këtij sezoni”,- tha Hoxha. Sipas tij, kontrolli ndaj përmbytjeve do të ishte maksimal në rast se do të ishte përfunduar edhe hidrocentrali i kuotës më të lartë, sipas projektit të kaskadës së Drinit, ai i Skavicës. Hoxha i bën thirrje qeverisë, "të merren urgjentisht me problematikën e liqenit të Ohrit". Sipas tij, Ohri përbën një rezervë të jashtëzakonshme ujore, që duhet të kontrollohet bashkërisht me Maqedoninë, duke gjetur gjuhën e përbashkët, në interes dypalësh.
Shkarkimet
“Ishin detyruar të shkarkonin të gjithë prurjet nga HEC-i i Vaut të Dejës, pasi priten prurje të tjera”. Kështu ka deklaruar dje kreu i KESH-it, Ëngjëll Zeqo, i cili informoi se në HEC-in e Fierzës nga ora 03.00- 04.00 të mëngjesit të së enjtes, ka pasur rritje të prurjeve deri në 2200 metër kub për sekondë. Por po dje në orën 11:30 kreu i KESH-it informoi sërish mediat se, prurjet në Fierzë kishin rënë në 1700 metër kub dhe se shkarkimet janë në 1200 metër kub për sekondë. Niveli i ujit në Fierzë aktualisht ka arritur në 290.24 metër. Dy ditë më parë ai ishte 289.38 m, ndërsa kuota maksimale e lejuar 296 m. Edhe në Koman prurjet anësore janë të mëdha. Gjatë natës prurjet kishin arritur në 2000 metër kub për sekondë, ndërsa në mëngjes kishin shkuar në 1700 metër kub për sekondë dhe vazhdojnë shkarkimet.
Situata
Shkarkimet më të mëdha bëhen nga Vau i Dejës. Gjatë prononcimit kreu i KESH-it, i cili ndodhej dje në HEC-in e Vaut të Dejës tha se, shkarkimet nga ky hidrocentral janë në 2900 metër kub për sekondë. “Po tentojmë të shkarkojmë të gjithë prurjet natyrale që vijnë në kaskadën e Drinit pasi presim prurje të tjera më të mëdha, të cilat mund të zgjasin edhe për dy ditë”- sqaroi Zeqo, duke nënvizuar se prurjet janë tepër të mëdha dhe për rrjedhojë dhe shkarkimet janë të detyrueshme. “Shkarkimi është i detyrueshëm në bazë të rregullores me qëllim, që të kemi nën kontroll kaskadën e Drinit”,- theksoi kreu i KESH-it. Gjithashtu Zeqo konfirmoi se agregatët po prodhojnë maksimalisht energji deri 20 milion kilovat orë në ditë. Duke iu referuar situatës meteorologjike, pritet që dhe muaji dhjetor do të jetë i lagësht dhe se në këtë situatë, do vazhdojmë me këto prurje dhe do ketë akoma shkarkime. Sipas tij, niveli i kaskadës së Drinit në 20 ditë është rritur nga 280 metra në 10 metra, duke e vlerësuar si situatë të jashtëzakonshme dhe se prurjet anësore në HEC-n e Komanit nuk kanë qenë asnjëherë kaq të larta sa gjatë këtyre ditëve.
KESH, publikon të dhënat për situatën në HEC-e
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare paraqet situatën në hidrocentrale pas përmbytjeve të fundit në zonën e Shkodrës deri në orën e mesditës së djeshme. Nga të dhënat e fundit bëhet me dije se, niveli i HEC-it të Fierzës është në kuotën e 290.31 metrave nga 289.38 metra që ishte një ditë më parë, ndërsa prurjet janë 1250 metër kub ujë në sekondë, ndërsa shkarkimet janë 1071 metër kub ujë në sekondë. Ndërkohë që nivelet në hidrocentralin e Komanit janë 171.79 metra, ndërsa prurjet 2282 metër kub për sekondë dhe shkarkimi është 2444 metër kub ujë për sekondë. Vau i Dejës paraqitet të jetë në kuotat e 74.91 metrave, prurjet janë 382 metër kub ujë për sekondë, ndërsa shkarkimet janë 2939 metër kub ujë për sekondë. Si pasojë e përmbytjeve, sipas “CEZ Shpërndarje” është bërë edhe stakimi i energjisë elektrike në disa zona të Shkodrës. Fshatrat të cilat aktualisht janë pa energji elektrike janë Dajci, Zeusi, Trushi, Kuçi, Vukatana, Darragjati, Selmanaj dhe Jushi.
Shkurt///////////////////////////////
Përmbytjet, Ekspertët: “Keqmenaxhim i situatës”
Ish-zëvendësministri i Energjetikës, Pajtim Bello, thotë se përmbytjet e shpeshta në zonën e Nën-Shkodrës janë pasojë e menaxhimit të papërgjegjshëm të kaskadës së Drinit. Sipas tij, pas përmbytjes së parë qeveria duhet të kishte analizuar shkaqet dhe të urdhëronte studime të reja për pritat, pasi terreni i zonës ka ndryshuar. “Papërgjegjshmëria shkon edhe më tej. Jo vetëm që s’janë bërë studime, por edhe investimet minimale, ato që janë bërë tradicionalisht vit për vit, nuk kanë përfunduar. Si mund të shkohet në dimër pa këto punime minimale”,- deklaron Bello. Ai tha gjithashtu se ,kaskada nuk po menaxhohet nga specialistët, por nga politika. “Me këtë problem nuk u morën specialistët e fushës, të përcaktonin ata se çfarë ka ndodhur. Por e përcaktoi politika. Dhe pastaj na del kryetarja e Kuvendit dhe thotë se një metër kub borë ka tre metër kub ujë. Është skandal. Kjo është fyerje për shqiptarët dhe përdhosje për shkencën”,- thekson Bello. Ish-numri dy i Energjetikës në kohën e qeverisë socialiste thotë se, argumenti i qeverisë se përmbytjet janë shkak i natyrës ka rënë përfundimisht. “Qeveria nuk duhet të ushtronte presion duke thënë se kemi të bëjmë me reshjet 1 herë në 100 vjet. Kjo mund të thuhet për herën e parë, por jo më pas. Ujërat janë pasuri në të gjithë botën dhe ne nuk mund t’i keqmenaxhojmë”,- shprehet ai. Inxhinierët që kanë projektuar kaskadën e Drinit thonë se, ajo është ndërtuar me nivelin më të lartë të sigurisë në Europë, i tillë që lejonte përmbytje vetëm një herë në 50 vjet. Por vetëm këtë vit zona e Nën-Shkodrës është përmbytur 5 herë, gjithmonë me justifikimin e prurjeve të jashtëzakonshme.
Thellimi i Bunës, Berisha: Amendim në buxhet
Pas intensitetit të përmbytjeve të tre ditëve të fundit në zonën e Nën-Shkodrës, si pasojë e prurjeve të mëdha të lumenjve, kryeministri Sali Berisha, kërkoi dje nga Ministria e Financave amendim në buxhetin e vitit 2011. Shefi i qeverisë bëri kërkesë që në buxhet të ndahen para për thellimin e lumit Buna, si një prej arsyeve të përmbytjeve të kohëve të fundit. “Ministri Bode të bëjë amendamentet në buxhet për nisjen e punës në shtratin e Bunës",- tha Berisha. Kjo deklaratë u bë dje gjatë mbledhjes së Komitetit të Emergjencave që u mbajt nga kryeministri Berisha në qytetin e Shkodrës. Sipas tij, ky ndryshim bëhet për të shmangur përkeqësimet nga përmbytjet.
Përmbytjet, Mediu takim me homologun e Malit të Zi
Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu bashkë më një grup ekspertësh, ka pasur një takim urgjent me homologun e tij të Malit të Zi, Boro Vuçiniç, për të hartuar një strategji të përbashkët lidhur me menaxhimin e ujërave të lumit Buna dhe kaskadës së Drinit. Takimi vjen në një kohë që veriu i Shqipërisë është në një situatë emergjente, për shkak të përmbytjeve nga reshjet dhe vërshimet e ditëve të fundit. Sipas Mediut, për t’u bërë ballë situatave të tilla nevojitet edhe një bashkërendim rajonal i ndërhyrjeve emergjente. "Sot ramë dakord që të ngremë një grup teknik i cili do të shqyrtojë problemet e emergjencës, ballafaqimin e përbashkët në këto probleme, ndërhyrjen e përbashkët në problemet që ka lumi, po sidomos për të dalë në zgjidhje definitive. Ne morëm një angazhim të përbashkët që të vendosim një platformë të bashkëpunimit përpara, si dy ministra të interesuar për çështje konkrete, sidomos raportimit të problematikës që ka të bëjë me sasinë e ujërave që dalin nga kaskada e Drinit",- tha Mediu. Ai dhe homologu i tij malazez Vuçiniç, kanë rënë dakord për raportimin e ndërsjellë lidhur me prurjet në pellgun e Bunës, Kaskadën e Drinit, por edhe në vetë liqenin e Shkodrës. Sipas dy ministrave, kjo do të bënte të mundur marrjen e masave në kohën e duhur për t’u bërë ballë situatave të emergjencës.
3 Dhjetor 2010