Deklarimi i taksave, akciza dhe kontributet e sigurimeve pas janarit me kompjuter
Ervin KOÇI
Vitin që vjen subjektet e biznesit duhet të deklarojnë në organet tatimore nëpërmjet rrugës elektronike disa taksa të reja. Kjo listë do të përfshijë të gjitha subjektet që janë pjesë e TVSH-së, pavarësisht klasifikimit të tyre. Lista e taksave direkte që do të deklarohen përmes sistemit elektronik të instaluar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, do të zgjerohet me futjen e dy shërbimeve të tjera. Bëhet fjalë për akcizën dhe kontributet shoqërore dhe shëndetësore, ose siç i quajnë ekonomistët e firmave private, listë-pagesat. Prej kohësh administrata tatimore, konkretisht sektori që menaxhon “teknologjinë dhe informacionin” është duke punuar për zgjerimin e programit kompjuterik që do të përmbajë të dhëna shtesë. Sipas Ministrisë së Financave, plani për futjen e dy taksave në sistemin e deklarimit on-line nga kompjuteri do të vihet në zbatim vitin tjetër. Sipas saj, mirëmenaxhimi që iu bë sistemit të ri të deklarimit të faturave të TVSH-së jep shanse për të investuar në zgjerimin e skemës.
Deklarimi
Deklarimi on-line bëhet brenda datës 5 të muajit pasardhës dhe në datën 14 bëhet ai i faturës përmbledhëse të tatimit mbi fitimin e parapagimit të kësteve dhe të tatimit mbi të ardhurat. Sipas drejtoreshës së Financave, aktualisht, administrata tatimore është duke investuar në sistemin IT-së në mënyrë të tillë që në vitin 2011, të përballojë deklarimin on-line të listëpagesave dhe të akcizës. Data 15 tetor 2007 shënon fillimin zyrtar të shërbimeve të deklarimit të taksave nëpërmjet internetit dhe përkon me përurimin e selisë qendrore të DPT-së dhe të Drejtorisë së Shërbimit të Tatimpaguesve në Tiranë. Projekti financohet nga USAID dhe lidhet kryesisht me shmangien e fenomeneve negative që lindin nga kontakti direkt i biznesit me punonjësin e administratës tatimore.
Ankesat
Vendosja e taksave në regjim elektronik i jep biznesit më shumë shanse të operojë në kushte fleksibël, duke i shkurtuar kohën dhe kostot. Problemi qëndron te kapaciteti i administratës tatimore, ku në shumë raste është gjendur e papërgatitur për të përballuar fluksin e dërgesave elektronike. Bizneset ankohen për faqen e internetit të tatimeve se nuk funksionon plotësisht, ka rrjet të ngarkuar dhe për të dërguar deklaratat tatimore kërkon shumë kohë. Nga Drejtoria e Tatimeve jepen të gjitha garancitë se sistemi operon në kushte të sigurta dhe në momentet e mosfunksionimit të faqes, kjo vjen për shkak të volumit të lartë të dërgesave që biznesi i bën në momentet e fundit të skadimit të afatit.
Rruga elektronike
Prova më e madhe e deklarimit të detyrimit dhe aktivitetit privat nga biznesi ishte muaji prill i këtij viti, kur për herë të parë, u vendos si kusht dorëzimi elektronikisht i librave të shitjes dhe blerjes. Duket se prova u kalua, pasi nga rreth 15.000 tatimpagues, të cilët sipas legjislacionit tatimor në fuqi, kishin detyrimin për të dorëzuar librat e shitje-blerjes, deri në orën 24:00 të datës 5 prill, e zbatuan detyrimin rreth 13.000 të tillë, ose gati 90 për qind e tatimpaguesve të regjistruar për TVSH dhe tatim-fitim. Deklarim elektronik i taksave do të thotë plotësim i deklaratave tatimore nëpërmjet internetit. Tatimpaguesit mund të hyjnë në sistemin e deklarimit elektronik përmes faqes së internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT), duke klikuar te “TATIMET E MIA”, e më pas të procedojë sipas udhëzimeve përkatëse.
Shkurt//////////
“Alpha Bank”, 137.7 milionë euro fitim për 9-mujorin e vitit 2010
“Alpha Bank” në Greqi shpalli të martën, më 23 nëntor, rezultatet për 9-mujorin e parë të vitit 2010, duke raportuar: 1) 137.7 milionë euro fitime neto. 2) Forcim pozicioni të kapitalit me mjaftueshmëri kapitali dhe raport bazë në një nivel rreth 9%. 3) Një profil të mirë likuiditeti, i cili lejon reduktimin dhe përdorimin e fondeve të ECB-së. 4) Përmirësim të kredive me probleme dhe përforcim në provigjone. “Alpha Bank” raportoi 21% të kredive nga SEE-të dhe 23% kontribut në fitimet para taksave. “Alpha Bank” në Shqipëri shënoi një rritje me 10.4% në depozita. Depozitat arritën vlerën 425 milionë euro, kurse kreditë arritën 518 milionë euro. Z.Yannis S. Costopoulos, drejtor i grupit deklaroi se, “Greqia është duke bërë përpjekje shtesë për rikthim në rrugën e stabilitetit dhe rritjes. Ne këtë stad të vështirë, modeli ynë i biznesit ka treguar qëndrueshmëri ndërkohë ka qenë i fokusuar në mbështetjen e klientëve në Greqi dhe investimeve tona në Europën Juglindore (Shqipëri, Rumani, Bullgari, Serbi, Ukrainë dhe FYROM), një rajon i një rëndësie fondamentale në zhvillimin tonë në të ardhmen. Për të arritur këtë, i kemi dhënë prioritet ruajtjes së kapitalit standard dhe për të mbajtur pozicionin tonë të likuiditetit i cili është një avantazh konkurrues”. Z. Mantzounis, drejtori i “Alpha Bank” deklaroi: “Në këtë periudhë të vështirë të ekonomisë ‘Alpha Bank’ ka arritur një tjetër 3-mujor fitimprurës. Ne kemi ndërmarrë një ulje taktike të levës së portofolit tonë të kredive për të përmirësuar më tej pozicionin tonë të kapitalit dhe likuiditetit, ndërsa rregullorja ndërkombëtare rreth ‘Basel III’, po merr formë, ndërkohë vazhdojmë të mbajmë vështrimin tonë në platformën e kostove gjatë gjithë vitit. Risku ynë i ulët i bilancit dhe cilësia jonë e mirë e pozicionit të kapitalit bazë mundësojnë implementimin e standardeve të reja të kapitalit”.
INSTAT: Eksportet e tetorit u rritën me 5.1 për qind
Niveli i eksporteve në muajin tetor është rritur me 5.1 për qind krahasuar me muajin paraardhës. Ky fakt, sipas Institutit të Statistikave ka bërë që deficiti tregtar të ulet me 3,2 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas specialistes Alma Mezini, "në tetor 2010 eksportet u rritën me 5,1 për qind krahasuar me shtatorin dhe me 50 për qind krahasuar me tetorin e vitit 2009. Në tetor u eksportuan 14,5 miliardë lekë mallra ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar eksportet ishin 9,6 miliardë, 4,9 miliardë lekë më shumë". Nga ana tjetër edhe importet kanë shënuar rritje me 10.5 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Grupi “Makineri dhe Pajisje” është ai që ka shënuar rritjen më të lartë në eksportin e mallrave me 32,8 për qind. Po ashtu edhe grupi “Materiale ndërtimi dhe Metale” u rrit me 28,7 për qind. Partneri kryesor i vendit tonë për shkëmbimet tregtare vazhdon të mbetet Bashkimi Evropian, kryesisht Italia dhe Greqia me 68.2 për qind të nivelit total.
26 Nentor 2010