Meta: Plani i LSI për punësimin, prioritet gratë
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi dje se programi i kësaj partie për punësimin favorizon gratë dhe vajzat. Në një takim me në njësinë nr.5 në kryeqytet, Meta u shpreh se praktikisht LSI po udhëheq fushatën me mendime dhe ide, si për sa i takon bujqësisë, ashtu dhe punësimit. "Ne thamë se do të hapim 100 mijë vende pune, sepse ne studiuam se si do të hapen këto 100 mijë vende pune. Ne tashmë e kemi shumë të qartë planin sesi do të hapen këto 100 mijë vende pune", tha ai. Takimet e kreut të LSI-së në këtë prag fushate vijuan në një vizitë në një nga fabrikat agro-përpunuese në Tiranë. Me këtë rast, Meta shprehu vullnetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për të realizuar planin e saj shumë të qartë për të rigjallëruar industritë agro-përpunuese, së pari, duke garantuar një mbledhje shumë më të madhe të prodhimit me një cilësi më të lartë nga fermerët dhe prodhuesit shqiptarë përmes subvencionimit të prodhimit që parashikon plani i LSI-së. Sipas ish-kryeministrit Meta, nëpërmjet nxitjes dhe garancive që do t‘iu jepen bankave nëpërmjet krijimit të fondeve garantues për kreditë që do të jepen për investime në biznes dhe sidomos në bujqësi, do të bëhet nxitja dhe investimi për të tilla fabrika. Në vlerësimin e Metës, LSI-ja do të krijojë fonde investimi në mënyrë që të garantojmë një partneritet me bankat për investime të rëndësishme kapitale, sidomos në industritë agro-përpunuese, ku kreditë kërkojnë një kohë të gjatë për t‘u shlyer.