Rama: Shqipëria, pjesë e zinxhirit turistik të rajonit
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje se qeveria e re socialiste ka për qëllim që ta kthejë Shqipërinë një pjesë të zinxhirit turistik të rajonit, në një prej destinacioneve më të konsoliduara të Ballkanit. Rama zgjodhi qytetin e Durrësit për të prezantuar kapitullin e programit qeverisës, në pjesën e turizmit. Duke folur për problematikën, Rama tha se kemi 22 mijë shtretër për turistët dhe janë shumë pak. Ai shtoi se nuk ka një sistem të pranueshëm të njësive hoteliere të turizmit. "Ne do ta ngremë këtë sistem licencimi dhe vlerësimi, në bazë të standardeve evropiane", shtoi kreu socialist. Qëllimi ynë, tha Rama, është të integrojmë shërbimet tona turistike në rrjetin evropian të shërbimeve turistike. Sa i përket teknologjisë, kryesocialisti u shpreh se ajo duhet të jetë në funksion të zhvillimit, pasi vendi ynë nuk mund të jetë magazinë hekurishtesh të papërdorshme. "Janë shumë pak, por nuk kemi sot e gjithë ditën asnjë sistem vlerësimi të pranueshëm të njësive hoteliere të turizmit. Ne do ta ngremë këtë sistem licencimi dhe vlerësimi në bazë të standardeve evropiane, me qëllim që t‘i integrojmë shërbimet tona turistike në rrjetin evropian të shërbimeve turistike", nënvizoi kryetari i PS-së. Duke bërë një bilanc të mënyrës se si funksionin sot turizmi, Rama tha se në Shqipëri turizmi mbijeton vetëm falë prurjes që vjen nga matanë kufirit tonë verior, që është e destinuar të ulet në rast se nuk do të rritet cilësia e shërbimeve që ofrohen. Rama tha se, "ne do të bëjmë një politikë të re, të qartë dhe të vendosur, për të zmbrapsur prurjen në Shqipëri dhe ngritjen në Shqipëri të të gjitha rrangallave dhe hekurishteve që nuk janë më të pranueshme për Evropën ku ne duam të integrohemi". Veç planit për turizmin PS-ja prezantoi dje "Librin për Arsimin". Në këtë takim me mësues e arsimtarë, Rama tha se ky libër është produkti i takimeve të turit "Dialog me Shqipërinë" dhe janë afro 1350 fletë shënimesh të mbajtura zonë më zonë, qytet më qytet, të cilat tashmë janë depozituar në arkivin e Partisë Socialistë. 25 tetori i 2008 u mbyll me konferencën kombëtare të socialistëve për arsimin, në të cilën morën pjesë mbi 450 pedagogë e arsimtarë.