E Diel, 1 Nëntor 2026

Apollon Bace: Ikonat vidhen, le t'i marrë në mbrojtje Kisha

TIRANE-Për Apollon Baçen, shtimi i numrit të objekteve të trashëgimisë kulturore të vjedhura e të trafikuara ka disa shkaqe. Pas tyre, ka edhe disa fajtorë. Për të, nëse këto grabitje janë kaq të pranishme, një pjesë ka të bëjë me mosefikasitetin e punës së Ministrisë së Kulturës. Në ndihmë kësaj i vjen "bashkëfajësia" e koleksionistëve dhe moskoordinimi me sistemin e drejtësisë që lë të lirë të njëjtët hajdutë që vjedhin trashëgiminë. Si një lloj zgjidhje, Baçe, aktualisht drejtor i Institutit të Monumenteve mund të jetë një rrjet kujdestarësh të vëzhgon monumentet. Por kësaj i duhet shtuar etiketimi si krim i rëndë i grabitjes së monumenteve. Ndër-kaq, kur flitet për arsye, ai rendit edhe faktin se askush nuk mban përgjegjësi nëse një objekt vidhet meqenëse askush nuk e ka në inventarin e vet atë. Por, shton edhe hezitimin e kishës për të marrë në dorëzim kishat e Voskopojës apo të tjera si ato... Një gjë e tillë do t'i mbronte sipas Baçes, sepse do ishte dikush që do merrej me to përditë.
Sot rezultojnë të vjedhura e mbase të trafikuara jashtë vendit rreth 2200 objekte të trashëgimisë kulturore shqiptare...
Kjo shifër që ju keni është dhënë nga Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore. Për mendimin tim ajo nuk është e saktë sepse ata kanë vetëm numrin e veprave të humbura që kanë qenë pjesë e ndonjë inventari, e jo ato që kanë humbur pa qenë të regjistruara. E thënë kështu, numri i veprave të humbur e vjedhura është shumë më i lartë.
Pak ditë më parë Ministria e Kulturës foli për mbrojtje të trashëgimisë. Sipas jush, ç'duhet bërë për ta mbrojtur?
Ka dy gjëra që duhen bërë. E para është se duhet bërë më shumë punë për parandalimin e vjedhjes së objekteve të trashëgimisë kulturore. E dyta ka të bëjë me rikthimin në vend të veprave të trafikuara. Janë bërë përpjekje për të rikthyer disa vepra të trafikuara nga Shqipëria. Duhet thënë se as Interpoli shqiptar nuk është keq dhe konferenca e Ministrisë shërben edhe për sensibilizimin e faktorëve që merren me këtë punë. Një shqetësim tjetër që do përmendja ka të bëjë me gërmimet klandestine, që nxjerrin në dritë vepra e objekte të panjohura që zhduken pa e ditur se ç'janë. Kjo ndodh sepse nuk ka rrjet kujdestarësh nëpër monumente.
A e shihni të nevojshme, a mbase të domosdoshme vënien e rojave në disa monumente a muze që "strehojnë" vlera të rralla e nga ana tjetër janë bërë objekt grabitje disa herë?
Unë mendoj se duhet të ketë një rrjet kujdestarësh që të kujdeset vazhdimisht për monumentet. Ka pasur dikur një rrjet të tillë dhe unë nuk e di mirë se në ç'kohë u hoq ky rrjet. Mbajtja e tyre kushton vetëm 30 mijë dollarë në vit. Ne për kaq para po humbasim vepra me vlera më të mëdha si në lek, por edhe si objekte me rëndësi për trashëgiminë. Kujdestarët nuk do të lejonin as gërmimet klandestine të thesarkërkuesve dhe as vjedhjet e kësaj natyre kohë e pa kohë. Shpeshherë, ne e mësojmë nga mediat se është vjedhur një monument dhe janë marrë kaq objekte. Prania e kujdestarëve nuk ka të bëjë vetëm, me ruajtjen por edhe me mbajtjen në gjendje të vizitueshme të objekteve sepse shumë syresh për shkak të lënies pas dore, janë bërë të pavizitueshme. Në këto kushte japim pastaj tendera qesharakë për prerjen e ferrave.
Në vëmendje të grabitësve janë kishat që strehojnë ikona të vjetra... Si mund të mbrohen këto kisha nga sulmet e herëpashershme?
Me kujdestarë! Pastaj ka edhe një problem tjetër. Askush nuk i ka në ngarkim këto objekte që humbasin dhe kësisoj askush nuk mban përgjegjësi kur ato zhduken. Ikonat askush nuk i ka në inventarin e vet, e kur vidhen, askush nuk paguan për to. Ndaj edhe vërshohet drejt tyre. Për shembull, në Voskopojë ka një numër të madh kishash. Por, Kisha Ortodokse në vend që të kujdeset për to, ndërton të reja. E ç'kuptim ka kjo? Ne i kemi kërkuar që t'i marrë nën përgjegjësi dhe t'i ketë në dorëzim ato dhe kështu do të jenë më të sigurta dhe të ruajtura. Ajo nuk ka pranuar. Përse heziton? Ne do na dukej e arsyeshme kjo sepse do ishte dikush që do i shihte dhe do merrej me to dhe do i kishte në ngarkim. Nëse askush s'ka përgjegjësi ndodhin vjedhje pastaj.
A është parë mundësia që disa objekte të merren e të ruhen në Tiranë?
Mund të merren disa por jo të gjitha. Ikonostasi në një kishë nuk vlen nëse atje nuk janë ikonat e saj. Ne kemi restauruar disa syresh në Institutin e Monumentet dhe nga "një copë dërrasë" ka dalë një ikonë me një vlerë të jashtëzakonshme. Ne kemi një ligj disi të papërshtatshëm në vendin tonë. Ligji thotë që kushdo ka një objekt të trashëgimisë, shkon dhe e regjistron atë tek qendra e inventarizimit. Kur e pyesin ku e ka marrë ai thotë se e kam trashëguar. Po si ka mundësi që janë trashëguar kaq shumë ikona? Unë mendoj se koleksionistët, ikonat i blejnë nga trafikantët! Nga ana tjetër, ne nuk mund të marrim ikonat e ikonostaseve të kishës nga rrethet e t'i ruajmë në Tiranë sepse ikonostasi pa ikona atje nuk ka më vlerë. Në një farë mënyre këta koleksionistë e ndihmojnë trafikimin sepse ua blejnë atyre veprat që ata vjedhin.
Reforma e trashëgimisë që ju mbështesni fort a parashikon diçka për mbrojtjen e ikonave, busteve apo zbulimeve të tjera arkeologjike nga trafikimi, shitblerja apo vjedhja?
Reforma parashikon që të ketë kujdestarë për objektet. Pastaj, në çdo drejtori rajonale të ketë inspektorë që shkojnë dhe i vizitojnë monumentet dhe më tej një kryeinspektor që i kontrollon të gjithë. Kjo strukturë, mund të mos i reduktojë vjedhjet e dëmet në 100%, por sigurisht do jetë shumë më mirë se tani.
"Disa sajte arkeologjike vazhdojnë të jenë të rrezikuara, veçanërisht Apolonia dhe Butrinti, të cilat kanë një pasuri më të madhe kulturore e që duhet të kenë një sistem më të përforcuar të ruajtjes". Kështu është shprehur Anthony Krause, drejtues i sektorit të kulturës pranë zyrës së UNESCO-s në Venecia. Si e komentoni këtë?
Mendoj se është e kundërta. Këto dy parqe janë më të mbrojtur se sa monumente të tjera që janë të shpërndara dhe si të tilla janë më lehtësisht në vëmendjen e grabitësve e thesarkërkuesve. Mjafton të shohësh kishën e Brarit, Zgërdheshin, etj. Kjo nuk ndodh në Apoloni e Butrint, prandaj them se duhet kujdestar sepse ai nuk do i lejojë të gërmojnë.
Ka opinione që thonë se "MTKRS" është e paaftë në mbrojtjen e monumenteve apo objekteve që lehtësisht trafikohen. Ju ç'mendoni?
Nuk do të thosha e paaftë, por nuk ka efikasitet. Ministria duhet të sensibilizojë, por jo opinionin publik ata që kanë në dorë të veprojnë konkretisht. Ka ndodhur shpesh që policia ka arrestuar hajdutët, këta kanë shkuar para gjykatës e gjykatësi ka munguar. Kanë kaluar afatet e paraburgimit dhe janë liruar. Dhe këta kanë vjedhur sërish sepse shpesh janë të njëjtët emra që shihen në grabitjeve të objekteve të trashëgimisë. Problemi tjetër është se, nuk mund të gjykosh njësoj si një njeri që vjedh një arkë domatesh e si një njeri që vjedh objekte trashëgimie. Mendoj se dënimi për krime të kësaj natyre duhet të jetë më i rëndë në mënyrë që edhe grabitësit të kenë më shumë frikë. S'mund të ketë një dënim të ulët për vjedhjen e një ikonostasi që kushton më shumë se 200 mijë dollarë. Mendoj se duhet themeluar një komitet për mbrojtjen e trashëgimisë pjesë e të cilit të jenë specialistë të trashëgimisë, punonjës të Ministrisë së Kulturës dhe punonjës të drejtësisë. Koordinimi i punës së të tri palëve do të sillte një mbrojtje të monumenteve dhe më shumë frikë për krimin.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›