E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apollon kërkon Hamdi Salihin



Hamdi Salihi mund të jetë futbollisti shqiptar i radhës që mund të luajë në ishullin e Qipros. Lajmi jepet nga faqja e njohur sportive qipriote Protathlima.com.cy, që i referohet nga ana e saj radios greke “Supersport FM” e shumë faqeve të tjera greke.
Sulmuesi 25-vjeçar i skuadrës austriake SV Ried ndodhet në listën e dëshirave të trajnerit gjerman të Apollon Limasol, Tomas Von Hesen, i cili po bën ç’është e mundur për ta pasur në shërbimet e tij të ashtuquajturin “Gerd Mylerin shqiptar”.
Apollon për momentin ndodhet në vendin e katërt, paksa i larguar nga tre ekipet kryesuese: Omonia (luan Klodian Duro), Anorthosis (Arian Beqaj) e Apoelit (Altin Haxhi) dhe synon një vend në kompeticionet europiane për sezonin e ardhshëm.
Sipas asaj që shkruan faqja greke 24sports.com (ka vendosur edhe katër video nga golat e Salihit me fanellën e Tiranës e SV Riedit) ende nuk ka një akord midis klubit austriak, SV Ried, e atij qipriot, ku problemi kryesor qëndron ana financiare e transferimit.
Vetë trajneri gjerman Tomas Fon Hesen e ka marrë përsipër për të biseduar e bindur Salihin për të veshur fanellën e klubit qipriot, ndërkohë që në ishullin e Afërditës ndodhet menaxheri i lojtarit.
Mediat helene përmendin faktin se në vitin 2004, Salihi, pas debutimit mbresëlënës me Vllazninë (nga viti 2002, 53 ndeshje, 30 gola), ishte transferuar në Greqi te Panionos, por pa mundur të lërë gjurmë (6 ndeshje, asnjë gol).
Gjithsesi, rikthimi në Shqipëri i Salihit te Tirana e shndërroi në bomberin më të mirë të kampionatit shqiptar për sezonin 2005-2006. Me bardheblutë, Hamdi Salihi (25 vjeç, 182 cm) shënoi atë sezon 29 gola në 35 ndeshje, duke fituar “këpucën e artë”, ndërkohë që në total me Tiranën realizoi 42 gola në 52 ndeshje.
Janari i vitit 2007 e gjeti te skuadra austriake SV Ried, ku në 62 ndeshje në kampionat ka shënuar 22 gola. Shkodrani konsiderohet si e ardhmja e sulmit shqiptar, pavarësisht se në 10 aktivizime me Shqipërinë A ka shënuar vetëm 1 gol në miqësoren kundër Maltës (3-0), në gusht të vitit 2007.

Tirana, kampione për femra

Tirana fitoi titullin kampion në turneun e parë të futbollit për femra të zhvilluar në Shqipëri. Skuadra kryeqytetase ka mundur në finalen e zhvilluar në “Selman Stërmasi” ekipin e Jubanit të Shkodrës me rezultatin e thellë 4-0, duke u bërë fituesja e turneut të parë të këtij lloji, ku morën pjesë 8 skuadra nga qytete të ndryshme të vendit. I pranishëm në atë takim ishte dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Pas këtij turneu, të tjerë do të zhvillohen në muajt e ardhshëm përpara nisjes së një kampionati të rregullt kombëtar në muajin shtator.

Shqipëria U-17, miqësore me Malin e Zi

Takimi i parë do të luhet në Ulqin, më 18 shkurt, ndërsa ai i kthimit më 22 shkurt. Shqipëria U-17, e drejtuar nga trajneri Ardian Mema, do të zhvillojë dy ndeshje miqësore me homologët e Malit të Zi. Takimi i parë do të luhet në Ulqin, më 18 shkurt, ndërsa ai i kthimit më 22 shkurt. Në ndeshjet e fundit zyrtare (23-28.09.2008), Shqipëria U-17 humbi 4-0 me Finlandën dhe 7-0 kundër Bjellorusisë. Kundër Maqedonisë barazuan 3-3. Për fazën e grupeve paraeliminatore të Kampionatit Europian U-17, për sezonin 2009-2010, Shqipëria U-17 bën pjesë në grupin 11. Hungaria, Sllovakia e Luksemburgu janë tre kundërshtarët e Shqipërisë U-17. Takimet do të zhvillohen nga data 25-30 shtator në Hungari. 52 ekipe marrin pjesë në këto eliminatore të ndara në 13 grupe me nga katër skuadra. Dy skuadrat e vendeve të para të çdo grupi, plus dy vendet e treta më të mira të grupeve, do të kalojnë më tej në fazën tjetër eliminatore, të quajtur Elite Raund. Këto takime do të luhen në pranverën e vitit 2010. Fituesit e shtatë grupeve të Elite Raund do të bashkohen me Lihtenshtejnin, vendin organizator. Finalet e Kampionati Europian do të luhen në maj të vitit 2010.

Kamp.Euro 2010
Grupi 11
Hungari
Sllovaki
Shqipëri
Luksemburg

Robinjo, fajtor për agresion seksual?

Sulmuesi i njohur brazilian i Mançester Sitit, Robinjo, u ndalua nga policia britanike pasi u vlerësua fajtor për një agresion seksual. Lajmi bëri xhiron e botës, pasi bëhet fjalë për blerjen më të shtrenjtë në merkaton verore të Premier Ligës angleze.
Klubi i miliarderëve të rinj arabë e konfirmoi faktin se Robinjo u ndalua nga policia, duke konfirmuar faktin se Robinjo ishte në polici ditën e mërkurë në kuadrin e një hetimi kriminal. Sipas deklaratës së publikuar në faqen zyrtare të Sitit, Robinjo e përgënjeshtroi me forcë akuzën, duke mohuar se kishte të bënte me një akt të fajshëm apo kriminal, duke u deklaruar i gatshëm të bashkëpunonte me policinë nëse kjo e fundit do ta dëshironte këtë gjë.
Nga ana tjetër, Robinjo është ndëshkuar me një gjobë të majme pasi ishte larguar nga fusha stërvitore e ekipit anglez pa autorizimin e klubit. Sipas medias britanike, gjoba mund të jetë dy javë rrogë, ose rreth 210 mijë euro.

29 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›