E Shtunë, 31 Tetor 2026

Memelli: “Dinamo? Ndeshja kyçe për Tiranën”



Dash Frashëri

Derbi i shumëpritur Dinamo-Tirana, i 128-ti historik, do të ketë një shije të veçantë për Migen Memellin, golashënuesin më të mirë aktual të Kategorisë Superiore (10 gola në 14 ndeshje të aktivizuara), por dhe gjithë kompeticioneve sezonale, duke përfshirë edhe Kupën e Shqipërisë (8 gola në tri ndeshje).
Autori i një goli në ndeshjen e parë midis dy skuadrave, të fituar 2-1 nga Tirana (golin tjetër për bardheblutë e shënoi Gjergji Muzaka), pohoi për “Albania”-n”: “Derbi me Dinamon është një nga ndeshjet më të vështira të Tiranës, pasi janë së bashku me Vllazninë tre nga ekipet më të mira për momentin. Unë do ta konsideroja si një ndeshje kyçe për objektivat tona dhe të gjithë në skuadër e kanë vlerësuar kështu, pasi një hap fals do të na kushtonte në luftën për titull”.
Memelli, që në karrierën e tij ka edhe një klub norvegjez, Bran Bergenin, e vlerësoi fazën përgatitore në Antalia të Turqisë: “Bëmë një fazë përgatitore shumë serioze, ku theksi i stërvitjes nga ana e trajnerëve (Agustin) Kola e (Mauro) Bençivenga ishte sa në kondicionin fizik, ashtu edhe në atë taktik. Unë besoj se Tirana me grupin e lojtarëve që zotëron i ka mundësitë për të marrë një rezultat pozitiv me Dinamon”.
Në ndeshjen e fundit të kampionatit para ndërprerjes dimërore, ish-sulmuesi i Gais-it në Suedi realizoi një tripletë përpara syve të trajnerit të Kombëtares, Ari Han. Holandezi pritet të jetë në derbin e dy ekipeve, që së bashku kanë fituar 40 kampionate nga 69 të përfunduara.
Ndeshja me Maltën po afron (duhen edhe 15 ditë nga takimi i 11 shkurtit) dhe me Edmond Kapllanin e Erion Bogdanin (ende pa gola në Bundesligë e Seria A), Besart Berishën e porsatransferuar te AC Horsens në Danimarkë, vëmendja e Hanit natyrshëm që do të fokusohet te sulmuesi më në formë në kampionatin shqiptar, autor i dy tripletave në kampionatin shqiptar (kundër Flamurtarit e Bylisit).
Memelli i bie shkurt. “Nëse do të jem apo jo, këtë e di trajneri (Han). Si çdo lojtar edhe unë do ta dëshiroja të vishja fanellën e Kombëtares”, - tha lojtari, i thirrur nga Han në zborin e Antalias së vitit të kaluar, por edhe më parë nga ish-trajneri Oto Bariç për miqësoren kundër Maqedonisë, në shkurtin e vitit 2007.

10 golat e Migen Memellit
Java 2: Teuta-Tirana 0-1 (1 gol)
Java 4: Apolonia-Tirana 0-2 (1 gol)
Java 5: Tirana-Flamurtari 3-1 (3 gola)
Java 7: Tirana-Dinamo 2-1(1 gol)
Java 14:Partizani-Tirana 2-2 (1 gol)
Java 17:Tirana-Bylis 6-2 (3 gola)

DERBI NË STATISTIKA
Tirana e Dinamo kanë zhvilluar midis tyre 127 ndeshje historike. Tirana ka në pjatën e saj 49 fitore, kundrejt 46 fitoreve të Dinamos (32 barazime).

NDESHJA E PARË
Dinamo-Tirana do të zhvillohet në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, në orën 17:00. Dinamo, kampionia në fuqi (17 trofe), humbi në fazën e parë me Tiranën (23-herë kampione) me rezultatin 2-1.
Golat mbajnë firmën e Igli Allmuçës për Dinamon dhe Migen Memellit e Gjergji Muzakës për Tiranën. Takimi u gjykua nga Sokol Jareci.

MERKATO
Argjentinasi Romero,
firma e “5”-të
e Dinamos

Dinamo realizoi goditjen e pestë në merkaton dimërore. Sulmuesi argjentinas Mario Antonio Romero nënshkroi me kampionët në fuqi deri në përfundim të sezonit 2008-2009. Lajmi u konfirmua nga zyra për shtyp e 17 herë kampionëve. Kontrata ka si opsion edhe zgjatjen e saj të mëtejshme nëse në përfundim të saj palët bien dakord për vazhdimin e bashkëpunimit.

PESË GODITJET E MËDHA TË DINAMOS

1. ELIS BAKAJ – Ish-sulmuesi i Partizanit ishte blerja më e bujshme e Dinamos. Shuma e paguar për kartonin e futbollistit të Shqipërisë A ishte 100 mijë euro. 21-vjeçari Bakaj nënshkroi një kontratë trevjeçare me Dinamon.

2. SABINO PLAKU – Golashënuesi më i mirë i Dinamos në pjesën e parë të sezonit (8 gola) u rikthye te skuadra norvegjeze HamKam që zotëronte edhe kartonin e tij. Presidenti Besnik Sulaj pagoi 60 mijë euro për ta blerë atë.

3. DARIO BODRUSIÇ – Mbrojtësi Dario Bodrusic prishi kontratën me Rijekën (18 ndeshje, 1 gol) dhe do të jetë pjesë e Dinamos. 25-vjeçari ka qenë pjesë e Dinamos kampione të sezonit 2007-2008 (26 ndeshje, 0 gola).

4. RUBEN OSKAR ÇEKO Sulmuesi 25-vjeçar argjentinas nënshkroi për 18 muaj me Dinamon. Çeko ka dalë nga shkolla e Boca Juniors, ndërkohë që klubi i tij i fundit ishte Persija Jacarta. Shënoi një gol në miqësoret e Dinamos.

5. MARIO ANTONIO ROMERO – Është blerja e fundit e kampionëve në fuqi. Në fakt u fol se kontrata e tij rrezikohej nga mbipesha, por argjentinasi ia doli të nënshkruante kontratën me Dinamon me opsion shtyrje edhe për një sezon tjetër.

29 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›