E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festë “sekrete” për ditëlindjen e Kadaresë



Petrika GROSI
Mbrëmjen e së martës, ai u kthye në Tiranë bashkë me Helenën.
Ndonëse sipas disa prej burimeve pranë tij Kadare nuk para i ka shumë qejf festimet dhe ky është një kthim rutinë në kryeqytet, ne mendojmë se diçka më tepër se sa rastësore qëndron në këtë mes. Kështu, i telefonuam shkrimtarit të njohur dhe, pasi i uruam ditëlindjen, e pyetëm se ku dhe si do ta festonte këtë përvjetor ose, të paktën, nëse do të kishte ndonjë festë për të, të organizuar me rastin e ditëlindjes së 73-të. Dhe përgjigjja e Kadaresë ishte: “Parmbrëmë vonë u ktheva në Tiranë. Di që do të bëhet diçka, por nuk ia kam idenë se çfarë...”. Kontaktuam edhe me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për të mësuar nëse ata ishin organizatorë të ndonjë ceremonie apo feste me rastin e këtij përvjetori, por sërish morëm përgjigje mohuese.
E pra, siç duket, Kadare ka bërë një festë “sekrete” për 73-vjetorin e tij ose ndonjë organizim modest e të ngushtë familjar.
Sa i përket jetës së tij, shkrimtari lindi më 28 janar 1936 në Gjirokastër, ku kreu studimet e para në gjimnazin “Asim Zeneli” për të vijuar më tej me Universitetin e Tiranës dhe Institutin “Gorki” në Moskë. Ai mbetet pa dyshim ndër më të mirët shkrimtarë të gjallë jo vetëm të Shqipërisë, Ballkanit dhe Europës, por edhe më gjerë. Kadare mban titullin e lartë “Nderi i Kombit”, ndërkohë që bën pjesë në Akademinë Franceze dhe Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Pas ndërprerjes së studimeve për shkak të konflikteve politike të kohës, Kadare u kthye nga Bashkimi Sovjetik në Shqipëri dhe punoi në Tiranë pranë organit të Lidhjes së Shkrimtarëve, gazetës “Drita”, si dhe drejtoi revistën “Les letres albanaises”. Kadare ka qenë dhe mbetet, me reagimet apo prononcimet e tij publike, ndër protagonistët e jetës politike dhe të mendimit intelektual shqiptar. Mjaft të kujtojmë këtu deklaratat e tij për përkatësinë e identitetit shqiptar si mirëfilli europian dhe perëndimor apo ndërhyrjet për çështjen e Kosovës, për dënimin e krimeve të komunizmit, për probleme të ndryshme të letërsisë, historisë deri për politikën e shkuar dhe atë aktuale si dhe pwr shumë çwshtje të tjera. Këtu nuk mund të rrimë pa përmendur deklaratën publike që Kadare bëri në tetorin e vitit 1990, kur qeveria komuniste dukej se nuk po ndërmerrte asnjë reformë demokratike duke e lënë Shqipërinë në izolim të gjithanshëm. Kadare e shprehu kundërshtimin e tij ndaj sistemit hapur dhe në nivel ndërkombëtar e pas kësaj kërkoi strehim politik në Francë. Megjithë pritjen e mirë që Franca i bëri, shkrimtari nuk e harroi dhe nuk i qëndroi asnjëherë larg Shqipërisë. Ai gjithmonë e ka ndarë kohën e tij mes Tiranës dhe Parisit. Disa nga veprat më të njohura të Kadaresë janë: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur” dhe “Pallati i ëndrrave”. Por shkrimtari ynë ka treguar se mund të jetë aktiv edhe në kohën e sotme, duke botuar publicistikë dhe letërsi. Romani i tij i fundit “Darka e gabuar” dhe pritja e mirë nga kritika tregon se Kadare ka ende për të dhënë. Ai ka qenë disa herë kandidat për çmimin “Nobel”, është fituesi i parë i “Man Booker Prize” dhe i shumë çmimeve e nderimeve të tjera kombëtare, rajonale e ndërkombëtare. Veprat e tij janë përkthyer në më shumë se 45 gjuhë të botës.

29 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›