Rrëzohen kërkesat, Ministria nuk do të ndryshojë diplomat
Diplomat e reja të Bolonjës, megjithëse janë refuzuar të tërhiqen nga studentët, nuk do të ndryshojnë. Ministria e Arsimit ka marrë dje vendimin përfundimtar për diplomat e Bolonjës. Në një njoftim për shtyp, MASH-i bën të ditur se
Shqipëria do të mbajë të njëjtin standard si të gjitha vendet e BE-së për diplomat e Bolonjës. MASH-i sqaron se sipas ligjit shqiptar dhe Marrëveshjes së Bolonjës, emërtimi i diplomës universitare përmban nivelin dhe fushën e studimit të kryer dhe jo titull profesional. Sipas MASH-it, diploma e re e Bolonjës është tërësisht e vlefshme për të gjetur punë në Shqipëri dhe, në sajë të standardeve të Bolonjës, edhe jashtë vendit. Këtë Ministria e argumenton me faktin se standardi i Bolonjës, i vendosur për emërtimin e diplomës sipas nivelit dhe fushës së studimit të kryer, është më i mirë se standardi i vjetër, sepse krijon shanse më të gjera punësimi për çdo të diplomuar në krahasim me modelin e mëparshëm me tituj profesionalë. Për këtë qëllim, krahas diplomës çdo student pajiset edhe me suplementin e diplomës, i cili jep hollësi për programin dhe nivelin e studimit të kryer, të dobishëm për mundësitë konkrete të punësimit.
Akreditimi, Kule urdhër fakulteteve të nisin vlerësimin e brendshëm
Nis faza e parë e akreditimit në Universitetin e Tiranës, që është ajo e vlerësimit të brendshëm. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, u ka nisur një urdhër tetë fakulteteve në varësi të UT-së që të nisin procesin e vlerësimit të brendshëm të tyre. Afati maksimal i vendosur nga kreu i UT-së për realizimin e këtij procesi është data 15 shkurt. Brenda këtij harku kohor, të tetë fakultetet e UT-së duhet të kenë përfunduar vlerësimin e brendshëm të tyre për ta dorëzuar më pas në rektorat. Institucionet e arsimit të lartë janë përgjegjëse për sigurimin e brendshëm të cilësisë dhe ngrenë njësinë përkatëse të sigurimit të brendshëm të cilësisë. Në to merr pjesë gjithmonë edhe një përfaqësues nga organizimet studentore të institucionit, si dhe një përfaqësues ekspert i jashtëm. Njësia vlerëson periodikisht efikasitetin e veprimtarive mësimore, kërkimore apo artistike, si dhe të veprimtarive administrative e financiare të institucionit. Njësia e sigurimit të brendshëm të cilësisë ka autonomi operative dhe akses në të gjitha të dhënat e institucionit. Kriteret dhe procedurat për ngritjen dhe funksionimin e këtij sistemi hartohen nga institucionet e arsimit të lartë, në bashkëpunim me Agjencinë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë dhe përcaktohen në statutet e institucioneve.
Agjencia spanjolle AECID shpall programin e bursave për vitin 2009
Agjencia spanjolle për Bashkëpunimin Ndërkombëtar dhe Zhvillimin (AECID) shpall programin e bursave për vitin 2009. Ky program përfshin ofertë bursash studimi në Spanjë me një kohëzgjatje nga tre muaj deri në një vit akademik, të ndara si më poshtë: bursa për studime të gjuhës dhe kulturës spanjolle; bursa për studime pasuniversitare, doktoraturë ose studime shkencore në Spanjë. Të interesuarit për një informacion më të hollësishëm për mënyrën e përgatitjes së dokumentacionit lidhur me llojin e bursave që ofrohen, si dhe afateve dhe mënyrës së plotësimit të formularit të aplikimit on-line, duhet t’i referohen adresës së mëposhtme të internetit: https://www.becasmae.es
29 Janar 2009