E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndahet nga jeta “Puliceri amerikan” Xhon Apdajk



Pas humbjes së nobelistit të njohur Harold Pinter, i cili vetëm para pak kohësh u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare, një tjetër humbje vjen për letërsinë anglosaksone dhe atë botërore me vdekjen e “Pulicerit amerikan”, Xhon Apdajk (John Updike). Shkrimtari, kritiku, publicisti i njohur, fitues dy herë i çmimit “Pulicer”, ndërroi jetë të martën, në moshën 76-vjeçare, pasi vuante nga kanceri i mushkërive. Ai jetonte me bashkëshorten në shtetin e Masaçusets në SHBA. Apdajk është autor i më shumë se 50 librave, si romane, tregime dhe poezi. Gjatë gjithë karrierës së tij të shquar, ai fitoi pothuajse çdo çmim letrar, duke përfshirë dy “Pulicer” dhe dy Çmime Kombëtare të Librit. Apdajk njihet për përshkrimet mjaft të realizuara të personazheve fiktivë si dhe për humorin e hidhur kur shkruante për seksin, divorcin dhe jetën amerikane pas Luftës së Dytë Botërore. Atij iu dha çmimi “Pulicer” për romanet “Rabbit Is Rich” dhe “Rabbit at Rest”. Apdajk ka komentuar edhe për veprat e shkrimtarit Ismail Kadare. Në një artikull të botuar në gazetën “New York Times”, ai e ka quajtur romanin “Kronikë në Gur” fund e krye magjepsës, të sofistikuar dhe të përkryer në prozën e tij poetike dhe në shkathtësinë e të rrëfyerit...”

29 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›