Madona konfirmon vazhdimin e turneut në Europë
Mbretëresha e muzikës pop, Madona, ka konfirmuar se së shpejti do të vazhdojë turneun “Sticky & Sweet”, i cili i solli fitime të mëdha gjatë vitit 2008. Para disa ditësh ishte spekuluar se këngëtarja po finalizonte planet për një turne veror nëpër qytetet që nuk i kishte vizituar gjatë turneut të kaluar, ndërsa tani vetë këngëtarja ka konfirmuar se do të kthehet në skenë me koncerte edhe gjatë vitit 2009. “Fansa të Madonës, a jeni gati për më shumë? Jemi të lumtur të konfirmojmë që spekulimet janë të vërteta: Madona ka vendosur ta vazhdojë turneun ‘Sticky & Sweet’. Ajo do të udhëtojë nëpër qytetet europiane, të cilat nuk i ka vizituar gjatë vitit 2008”, - shkruhet në faqen zyrtare të këngëtares. Fansat gjithashtu njoftohen të presin për datat në të cilat do të zhvillohen koncertet para se të udhëtojnë, për ta parë atë direkt. Në faqen zyrtare të këngëtares thuhet:
”E ndërsa datat do të caktohen disa ditë më vonë, ne ju ftojmë të na mirëprisni dhe të merrni informacionin e duhur lidhur me këtë eveniment të rëndësishëm”.
50 Cent: “Karriera e Nas ka përfunduar”
50 Cent nuk e konsideron reperin veteran Nas në mesin e konkurrentëve të tij, duke thënë se karriera e tij tashmë ka “përfunduar”. Këngëtari i hitit “In Da Club”, emri i vërtetë i të cilit është Kurtis Xhekson, së fundi ishte kritikuar nga Nas për këngën “Queens Get the Money”, nga albumi i vitit 2008 me të njëjtin emër. “Nas është i ftohtë si akull. Nas është blloku i akullit që e zhyti Titanikun... Vërtet nuk dua të flas për Nas. Mendoj se ai është në një prej atyre momenteve, kur karriera e tij ka përfunduar, të jem i sinqertë”,- ka thënë 50 Cent. “Ai ka pasur periudha të mira dhe ka bërë një muzikë të mirë në të kaluarën, por ai nuk ka më ç’të japë”, - ka shtuar reperi.
Salma Hajek dhe Kolin Farrell, sërish bashkë
Aktorja Salma Hajek kthehet në dashurinë e saj të vjetër, Kolin Farrell. Bukuroshja meksikane me famë botërore, sipas “National Enquirer”, dhe Farrell janë shfaqur së bashku në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Golden Globes”. Një burim tregoi se Kolin mbante në dorë foton e Salmës dhe e puthte pa reshtur. Sipas zërave, ata nuk silleshin thjesht si miq. Salma dhe Kolin ishin të dashuruar në vitin 2004 gjatë xhirimeve të filmit “Ask The Dust”. Por gjatë asaj kohe aktori, edhe pse i dashuruar marrëzisht, po kalonte një moment të vështirë, pasi kishte probleme me alkoolin dhe drogën. Gjërat mund të ndryshojnë tani që edhe Farrell ka ndryshuar. Hajek ka lënë pas një lidhje të rëndësishme me milionerin francez Francois Henri Pinault, me të cilin ka edhe një vajzë 16-muajshe.
29 Janar 2009