E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apolloni, zbulohet një shëtitore madhështore

TIRANE-Pas disa statujave te cilësuara ndër gjetjet më të rëndësishme arkeologjike të 50 viteve të fundit, në qytetin antik të Apolonisë ka dalë ne drite shëtitorja më e madhe e zbuluar deri tani në Shqipëri. Ajo është rreth 150 metra e gjatë, shtrihet në pjesën verilindore dhe besohet se i përket periudhës helenistike. Së bashku me muret fundore janë gjetur, fragmente të zbukurimit të një tempulli si dhe mbetje qeramike. Nisur nga përmasat e shëtitores arkeologët mendojnë se kjo zonë ka qenë në fillim qendra kryesore e qytetit antik. Me këtë zbulim të madh i hapet dritë studimeve të mëtejshme për këtë pjesë të agorasë. Kjo shëtitore është me e madhja e zbuluar jo vetëm ne këtë qytet antik por në gjithë Shqipërinë. Natyrisht qe agoraja i përket periudhës helenistike por ka edhe shtresëzime te periudhave te tjera. Drejtuesit e parkut Apolonia pohojnë se pas përfundimit të gërmimeve një pjesë e shëtitores së zbuluar do të vihet në dispozicion të turisteve, po kështu edhe pjesë të vilës romake e mozaikëve që ndodhen aty. Ekspedita e fundit shqiptaro franceze në Apoloni ka nxjerrë në drite dy buste nga rrënojat e vilave romake si dhe një këmbë prej bronzi qe mendohet se i përket një shtatoreje rreth 2 metra të lartë.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›