E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durres, vritet në oborrin e shtëpisë 42-vjeçari

DURRëS - Një 42-vjeçar nga Shën Premte e Katundit Sukth të rrethit të Durrësit u ekzekutua mbrëmë me breshëri kallashnikovi nga persona ende të paidentifikuar. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit, bëjnë me dije se ngjarja ndodhi rreth orës 22:30. Mësohet se Ardian Ndue çela ishte në oborrin e shtëpisë së tij, kur u qëllua me armë zjarri. Krismat e armës kanë alarmuar pjestarët e familjes çela. Ata kanë shtangur nga tmerri, kur kanë parë kryefamiljarin të mbytur në gjak. I plagosuri është nisur urgjentisht për në Spitalin Rajonal të Durrësit, por ka ndërruar jetë gjatë rrugës për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë. Policia e sinjalizuar për vrasjen ka mbërritur shpejt në vendngjarje dhe ka nisur kryerjen e veprimeve hetimore. Ende nuk dihet motivi i krimit. Forca të shumta policore kanë bërë krehjen e gjithë zonës, ndërsa kanë vazhduar hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin dhe vënien në pranga të autorëve.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›