E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtare, Bushi te Tirana, rikthehet edhe Devi Muka

TIRANE-Tashmë është zyrtare: Alban Bushi do të jetë futbollist i Tiranës! Kryegolshënuesi i kombëtares shqiptare ka firmosur dje një kontratë një vjeçare me skuadrën bardheblu, aty ku ka nisur karrierën. Ndër-kohë, bashkë me të është rikthyer edhe Devi Muka, një prej futbollistëve emblemë të Tiranës në vitet e fundit, por që u largua në merkaton e verës pas vetos së vënë nga shefi i klubit Rauf Dimraj. Marrja e këtyre dy lojtarëve pritet t'i japë më shumë eksperiencë dhe cilësi Tiranës, e cila këtë sezon ka bërë një nisje vërtetë të keqe, me një humbje dhe një barazim. Tirana ndërkohë ka firmosur edhe me një mbrojtës kroat, i cili është federuar ditën e djeshme. "E doja vetë transferimin këtu, - thotë Alban Bushi për Gazetën. - E kam nisur karrierën te Tirana dhe doja ta përfundoja me këtë klub. Megjithëse luaja jashtë, gjithnjë pata menduar që ta mbyllja këtu", shton ai. Bushi shpjegon gjithashtu se përveç donatorit Refik Halili, një tjetër njeri që e ka bindur të jetë pjesë e bardhebluve, ka qenë kryetari i bashkisë së kryeqytetit Edi Rama. "Kishte shumë arsye, por edhe biseda me të ishte shumë e rëndësishme", thotë shënuesi më i mirë në historinë e kombëtares. Alban Bushi në këtë mënyrë është vetëm pak muaj larg dhënies së lamtumirës nga futbolli, pas një karriere të gjatë në disa prej kampionateve më të rëndësishëm të Evropës. Ai mban ende rekordin për numrin më të madh të golave të realizuar me fanelën e kombëtares, 14, duke qenë vetëm 1 gol përpara Erjon Bogdanit. Me marrjen e tij edhe kampionati shqiptar fiton shumë në imazh, duke qenë se bëhet fjalë për një futbollist që ka luajtur afro 15 vjet në ekipin kombëtar.
Devi Muka
Një nga çështjet më problematike të Tiranës në muajt e fundit, ajo e kapitenit Devi Muka, dje ka përfunduar me një "happy-end". Vlonjati është rikthyer të jetë pjesë e skuadrës dhe dje bashkë me Alban Bushin ka kryer seancën e parë stërvitore. "Edhe unë vetë doja të kisha patjetër Mukën në ekip, në mënyrë që Tirana të ketë disa emra", shpjegon Bushi për të. Rikthimi i Mukës ka ardhur edhe pas këmbënguljes së madhe të donatorit Refik Halili, i cili e ka kërkuar me patjetër fantazistin. Por, problemet mes Mukës dhe shefit të klubit Rauf Dimraj në fund të sezonit të shkuar, sollën edhe përçarjen e madhe mes tyre. Dimraj vuri veton, duke thënë se Muka nuk duhet të ishte më pjesë e Tiranës dhe për pak e realizoi këtë. Por, kur mbeteshin vetëm pak orë nga mbyllja e merkatos, ai është dorëzuar përballë presionit. Ndërkohë, marrja e një mbrojtësi kroat, ka përforcuar edhe repartin e tërhequr të Tiranës, që shfaqi jo pak pasiguri në dy ndeshjet e para.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›