“MIA International” s’ka funksionuar asnjë ditë, PS dhe të huazuarit 99-sha këndojnë turpshëm urdhrat e kryetarit Lepur
Akuzat, reagon ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu
Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu konsideron si mashtrime pretendimet e PS-së dhe të adoptuarve nga G99-a se bashkëshorti i saj është aksioner i kompanisë “MIA International”, për punimin dhe ndërtimin e komplekseve që prodhojnë energji. Ministrja Bregu sqaroi se gënjeshtrat e Ramës janë të paprincipta, pasi siç informoi ajo, kompania “MIA International” s’ka funksionuar asnjë ditë dhe as ka kryer transaksione bankare apo nënshkruar kontrata. Sipas saj, akuzat e selisë rozë, janë gënjeshtrat e radhës të një hajduti si Edi Rama. “Jo për ju 99 e PS dhe kryetarin tuaj lepur, por për respekt të opinionit publik, të cilin keni ditë që e disinformoni me gjuetinë e radhës, bëj me dije: Gënjeshtra e ligë e sotme e hajdutit kryebashkiak Edvin Rama mbi përfitime të bashkëshortit tim në tregun e energjisë, po u merr frymën edhe 99-ave në këndimin e turpshëm të urdhrave të tij. Bashkëshorti im nuk ka punuar asnjë ditë në institucione shtetëror shqiptare dhe nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga asnjë kontratë biznesi energjie ose të ngjashme me të. Përsa i përket kompanisë së regjistruar si MIA International në qershor të 2009, kompani in-aktive me status pezull në QKR, e cila nuk ka funksionuar asnjë ditë, as nuk ka kryer transaksione bankare apo nënshkruar kontrata të asnjë lloji, është regjistruar me qëllimin e mirë të një grupi investitorësh italianë për të pastruar plehrat nëpër qytete, përfshi edhe Tiranën”- u shpreh ministrja Bregu. Ajo deklaroi se vetëm tre muaj pas regjistrimit të kompanisë, në 12 tetor të vitit 2009, në pamundësi për të ndjekur këtë aktivitet, bashkëshorti i saj, ka paraqitur letrat e dorëheqjes si pranë studios ligjore ku është bërë regjistrimi, ashtu edhe pranë asamblesë së ortakëve. “Statusi “pezulluar” i kompanisë, që do të thotë që kompania nuk ka aktivitet, mund të vërtetohet lehtësisht në faqen e internetit të QKR”- tha Bregu. Ministrja e Integrimit sqaroi se ndryshe nga burracaku hajdut i Bashkisë së Tiranës, ka bërë deklarim real të pasurisë, ashtu siç e kërkon ligji, po shtoi ajo, s’mund të japë shpjegime dhe as llogari për bizneset private të kunatit. Bregu ftoi Ramën dhe çdo deputet tjetër të opozitës të vërtetojë akuzat, ose në të kundërt, tha ministrja, të vazhdojë të fshihet pas grave. “Ti burracak që vazhdon të fshihesh pas akuzave për vjedhje galopante nën petkun e kryebashkiakut të Tiranës, ti frikacak që vazhdon të fshihesh pas grave sa herë s’di ç’të thuash dhe bëhesh trim vetëm me lepujt, që rrëmon për të gjetur abuzime dhe që deri sot nuk vërteton dot asnjë shkelje ligjore nën emrin tim, dil dhe ju thuaj shqiptarëve se cili ligj apo rregull i shkruar në legjislacion ndalon një individ, qoftë edhe bashkëshorti apo kunati i një ministri, të ketë aktivitet privat. Cili ligj apo kontratë ligjore shkelet nëse kunati im ka një dy apo katër biznese që prej vitit 2002, kur investon me paratë e tij dhe nuk përfiton nga fonde publike. Kam deklaruar dhe e përsëris që bashkëshorti im nuk ka asnjë biznes në fushën e energjisë dhe nuk ka përfituar nga asnjë kontratë me fonde publike. Nuk ka asnjë lajthitje në deklaratën time të pasurisë, sepse unë nuk fsheh as të ardhurat e mia, as të bashkëshortit, por nuk jap dot llogari as moralisht dhe as ligjërisht për ato të kunatit dhe për kompani pa aktivitet”- vuri në dukje më tej, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Në përfundim ajo ftoi publikisht Edi Ramën dhe servilët e tij, që çdo akuzë, pretendim apo çfarë do lloj tymnaje tjetër, ti adresojë te institucionet e ligjit. “Po të ftoj përsëri publikisht t’i drejtosh përçartjet e tua dhe të 99-ave të tu, atje ku ligji ka pushtetin dhe ku dallohet e vërteta nga mashtrimet e tua të trasha dhe të pista” - konkludoi deklaratën e saj për shtyp, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.
...