Mashtruan 30 vetë, shpallen në kërkim
Policia shpall në kërkim dy persona, të cilët akuzohen se kanë mashtruar rreth 30 shtetas të ndryshëm, duke u premtuar se do t’u siguronin punë në Malin e Zi. Rasim Smalaj dhe Besnik Bytyçi, i pari shtetas kosovar dhe i dyti qytetar durrsak po kërkohen nga policia për t’u vënë në pranga pas denoncimeve.
Ata dyshohet se u kanë marrë 30 shtetasve nga 60 euro si dhe 500 lekë me premtimin se do t’i punësonin në Malin e Zi, duke u caktuar edhe datën e nisjes, që duhej të ishte e shtuna. Por, pasi kjo nuk ka ndodhur, kanë nisur edhe dyshimet e vetë personave se ishin mashtruar nga dy shtetasit.
Nga ana e saj policia ka sekuestruar mandatet e arkëtimit të shpërndara nga këta persona, ndërsa ata vetë janë shpallur në kërkim për veprën penale të mashtrimit.