E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Apologjia e vërtetë e Sokratit” vlerësohet në Paris



Aktori i mirënjohur shqiptar, Mirush Kabashi, ka marrë duartrokitje dhe vlerësime të veçanta në përfundim të shfaqjes së monodramës "Apologjia e vërtetë e Sokratit" në teatrin "La Palace" të Parisit mbrëmjen e së hënës. "Një aktor i magjishëm dhe i mahnitshëm! Shqipëria nuk ka pse të ketë zili kërkënd në fushën e aktrimit! Patëm përballë një gjigant skene të kalibrit botëror!", ishin disa nga konsideratat e para të personaliteteve të kulturës dhe artit francez menjëherë pas shfaqjes së organizuar në kuadrin e 40-vjetorit të Frankofonisë me mbështetjen e Ambasadës së Shqipërisë në Paris. Shfaqja e dhënë në një ndër teatrot më prestigjiozë të Parisit, me nismën e teatrit "La Palace" dhe shoqatës "Shtëpia e shqiptarëve", gjeti interesim të gjërë jo vetëm nga shqiptarë me banim në Francë, por edhe nga personalitete franceze apo Ambasadorë e përfaqësues të lartë të vendeve europiane e të rajonit. Menjëherë pas shfaqjes dhe duartrokitjeve të gjata disa nga personalitetet më të shquara të pranishme kanë vlerësuar përmes mediave interpretimin e Kabashit. Dramaturgu dhe regjisori i njohur Christian Grenier u shpreh: "Faleminderit aktorit të mrekullueshëm Mirush Kabashi që më dha rastin një herë në jetë që të takoj Sokratin e vërtetë. Një aktor i magjishëm!". "Ju faleminderit për lumturinë që më dhatë. Fillimisht erdha si detyrim miqësor, më pas e kuptova se mosardhja do të më privonte nga një ngjarje artistike e përmasave botërore", vlerësoi Jean-Michel Pignou, kryeredaktor i Shoqërisë së Përgjithshme të shtypit francez. Presidenti i shtëpisë botuese "Chapitre 12", Pierre Olivier Simon, pas shfaqjes u shpreh: “Çfarë të thuash për këtë mbrëmje të mrekullueshme. Çfarë lumturie, çfarë emocioni!!!". Patrick Gobert, drejtori i "Arche de Defense", tha se "befasia e emocioneve të para m'u duk sikur vinte nga fakti se nuk e njihja Shqipërinë dhe çdo gjë që vinte nga ai vend do më habiste, por më pas kuptova se isha përballë një gjiganti skene të kalibrit botëror. Shqipëria nuk ka pse të ketë zili kërkend në këtë fushë", përfundoi ai. "Mbeta pa frymë. Kabashi ishte i mahnitshëm", tha Corinne Ricouart, nga Shtëpia Botuese “Edition Pyramidion”.
Ministri Xhaferraj vizitë zyrtare në Itali
Ministri shqiptar i Kulturës, Ferdinand Xhaferraj, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Itali, me ftesë të ministrit të Pasurisë Kulturore, Bondi, i shoqëruar nga një delegacion në përbërje të të cilit ishin përfaqësues të artit dhe trashëgimisë. Gjatë takimit të përbashkët, bëhet me dijeni se të dy homologët vlerësuan bashkëpunimin që qeveritë tona kanë me njëra-tjetrën, gjë që e tregon sipas tyre, dhe vizita e ministrit të Jashtëm, Franko Fratini në Shqipëri, si dhe në fushën ekonomike ku protagonist kryesor i mbështetjes ka qenë gjithmonë Italia. Ndërkaq, të dy homologët ndanë të njëjtin mendim për bashkëpunimin që Shqipëria ka patur me Italinë në fushën e arteve dhe kulturës i cili ka qenë dhe është i një rëndësie të veçantë. “Kjo, - cilësoi ministri Xhaferaj, - jo vetëm për faktin e fqinjësisë sonë fizike dhe shpirtërore, por edhe sepse Italia ofron vlera bashkëpunuese për vendin e çmuar që zë në të shkuarën dhe të tashmen e artit dhe kulturës botërore”. Më pas, homologët ndanë të njëjtin mendim lidhur me propozimin për një bashkëpunim konkret dhe asistencë teknike lidhur me fushën e arkeologjisë nënujore, trajnimin dhe krijimin e rrjeteve muzeale në Shqipëri, sidomos përmes krijimit të netuorkëve si dhe vijimi i bashkëpunimit për mirëfunksionimin e Qendrës së Restaurimit në Tiranë dhe mundësitë për shndërrimin e kësaj Qendre në një Qendër Rajonale të Restaurimit të kategorisë së dytë UNESCO, ku të shkëmbehen eksperiencat më të mira të restaurimit të të gjithë rajonit.
Skulptori Muntaz Dhrami, një monument për Mitrush Kutelin
Dhimiter Pasko apo siç njihet nga të gjithë shqiptarët, Mitrush Kuteli, do të ketë tashmë për herë të parë një monument. Është pikërisht skulptori, Muntaz Dhrami i cili pas një punë të gjatë, bën publike tashmë personalitetin të cilit ia kushton. Ai tregon se ka punuar për gati dy vjet dhe tashmë, kur imazhi është i qartë ai zbulon se bëhet fjalë për prozatorin e njohur shqiptar, Mitrush Kuteli. Skulptura është rreth 3 metra e lartë, ndërkohë që Dhrami është gjithashtu autor i monumenteve edhe të figurave të tjera të njohura shqiptare si, Lasgush Poradeci apo Ali Pashë Tepelena. Më tej skulptori, tregon se vepra do te vendoset ne Pogradec pranë monumentit te Lasgush Poradecit. Por, pas veprës qe iu kushtua kështu një nder prozatoreve me te shquar te letërsisë shqipe, skulptori shprehet se ka ende shumë figura të cilat janë lënë në hije dhe që sipas tij meritojnë të tilla monumente. Muntaz Dhrami e ka nisur karrierën e tij qe vitet '60, është autor i një sere veprash te njohura e bashkautor i monumentit të pavarësisë në Vlorë apo "Nënës Shqipëri" në Tiranë. Gjithashtu ai është laureat i çmimit të nderit në Bienalen e Aleksandrisë (1964), laureat i disa çmimeve dhënë nga shteti Shqiptar si dhe mban titullin "Skulptor i Popullit" (1978).

15 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›