Apolonia dominon etapën e dytë, 105 km Shkodër-Burrel
Apolonia ka dominuar etapën e dytë të Turit Çiklistik të Shqipërisë. Fierakët, kampionë në fuqi, treguan forcën e tyre në terrenin e thyer të itinerarit Shkodër-Burrel, 105 kilometra e gjatë. Në podin e fituesve janë ngjitur tre çiklistë të Apolonisë, i pari ishte Jonid Toska, me kohën 2 orë, 42 minuta e 41 sekonda. Pas tij në finish kanë kaluar Palion Zarka (i treti në etapën e parë) dhe Erjon Buzi. Zarka ka kryesuar pjesën më të madhe të garës, por çiklisti fierak humbi shumë kohë, pasi u detyrua të ndalonte për të riparuar gomën e biçikletës. Në fakt, gara është karakterizuar nga problemet që të gjithë sportistët kishin me gomat, për shkak të kushteve jo të mira të rrugës. Kjo ka vënë në vështirësi të dukshme Ervin Haxhin, fituesin e etapës së parë, i cili nuk ka mundur të renditet mes të parëve. Etapa e radhës është Lezhë-Krujë, e gjatë 120 km.