Hasi firmos për dy sezone me Anderlehtin
Ish-mesfushori i përfaqësueses shqiptare, Besnik Hasi, ka zyrtarizuar dje lamtumirën nga futbolli i luajtur duke filluar karrierën e tij të re si trajner. Ai ka nënshkruar dje parakontratën me klubin e Anderlehtit, sipas të cilës, do të jetë zv/trajner i kësaj skuadre për dy sezonet e ardhshme, me opsionin për ta rinovuar atë edhe një vit tjetër. Në stolin e ekipit, si trajner i parë, do të vazhdojë të jetë Ariel Jakobs, ndërsa zv/trajneri tjetër do të mbetet Daniel Reinders. Megjithatë, do të jetë Hasi ai që do të merret me stërvitjen teorike të futbollistëve të Anderlehtit dhe do të ndihmojë në përgatitjen taktike të ndeshjeve, ndërsa Reinders është përgatitësi atletik. Kjo parakontratë do të zyrtarizohet vetëm pasi Sërkëll Bryzh të lejojë ish-mesfushorin të ndërpresë para kohe kontratën e tij me këtë skuadër. Hasi ka edhe një vit të mbetur në kontratën e tij si futbollist me skuadrën belge.