E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miniflaka olimpike "ndizet" në Bathore

Flaka olimpike "zbarkon" në Bathore. Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) ka vendosur të dërgojë minipishtarin, një kopje e simbolit të Lojërave Olimpike, në zonën më të madhe informale në Shqipëri. Iniciativa u organizua në ditën e edukimit olimpik dhe përveç qindra nxënësve të Bathores, të cilët e kanë shndërruar në një festë të vërtetë, aty kanë marrë pjesë edhe ministri i Arsimit, Genc Pollo, dhe zv/ambasadorja e Kinës në vendin tonë. Shefi i delegacionit shqiptar në "Pekin 2008", Fidel Ylli ka deklaruar se synimi i aktivitetit ishte që të drejtojë të rinjtë te sporti, duke i larguar ata nga rruga dhe veset e këqija. "Ne duam që me këtë aktivitet që zhvilluam të vazhdojmë ditën olimpike dhe ditën e edukimit olimpik nëpërmjet sportit, që të rinjtë të integrohen, të shkëputen nga droga, alkooli dhe duhani e t‘u afrohen terreneve dhe kulturës sportive", tha Ylli. Më tej, ai foli edhe për objektivin e KOKSH, e cila po punon që edhe Kosova të ketë mundësi të marrë pjesë në Pekin 2008. "Ne shpresojmë dhe po bëjmë të pamundurën që pjesë e këtij evenimenti dhe familjes olimpike të bëhet edhe flamuri kosovar, tha shefi i delegacionit kuqezi që do të përfaqësohet në Olimpiadën 2008. Në qoftë se do ta arrijmë këtë, do të jetë një nga njohjet më të mëdha që do t‘i bëhet shtetit kosovar, jo vetëm nëpërmjet njohjes së OKB-së dhe politikës, por edhe një njohje nëpërmjet sportit. Sporti është ai që do t‘u paraprijë të gjithë politikave të egra që zhvillohen sot nëpër botë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›