E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apolonia e pafuqishme edhe në kupë, sërish Laçi befason

Nga BUJAR RAMA

Gërço humbet 11-metërsh, ndërsa kurbinasit tregohen më të saktë përpara portës dhe marrin atë që duan

Apolonia ka harruar të fitojë në shtëpi për të tretën ndeshje radhazi, ndërsa po e treta fitore radhazi vjen për Laçin, duke llogaritur ndeshjet në të dy kompeticionet. Duhet theksuar se Apolonia ka zhvilluar ndeshjen më të dobët gjatë këtij sezoni dhe e ka merituar humbjen. Pavarësisht dëshirës së lojtarëve për të kontrolluar kurbinasit, loja e bardhejeshilëve ka qenë tejet e dobët dhe pa fantazi.

Ndërsa nga krahu tjetër është parë një ekip simpatik, i drejtuar nga trajneri Dede, një skuadër që ka luajtur sikur të ishte në shtëpinë e vet. Në të parën zbritje në drejtim të portës së Apolonisë, Laçi ka mundur të kalojë në avantazh. Në minutën e 7të, miqtë ekzekutojnë një goditje këndi, atje ku Dragiçeviç ka kërcyer fuqishëm me kokë dhe Xhixha nuk ka pasur as më të voglën mundësi për ta ndalur topin që përfundon në rrjetë.

Fierakët përpiqen të reagojnë me anë të Pashës, i cili është rrëzuar në zonë pas një dyluftimi me Rexhën, por për Taullaun ka qenë gjithçka e rregullt. E përgjithshmja mbetet se bardhejeshilët luajnë shumë larg portës dhe i vetëm është kapiteni Gërço, që shkakton shqetësim të herëpashershëm për Vashakun përmes goditjeve nga distanca. Në minutën e 20të, Ribaj ka kërkuar të pasojë te shokët brenda zonës, por topi është prekur me dorë nga Sefgjini, çka është cilësuar e pavullnetshme nga ana e gjyqtarëve.

Në minutën e 25të do të kemi herë e tretë e vërtetë për Apoloninë, kur Rexha pengon Agastrën në zonë dhe Taullau akordon 11metërsh për vendësit, rast që shpërdorohet nga Gërço, i cili godet shtyllën e majtë pingule të portës së Vashakut dhe topi shkon në anësore. Megjithatë, fierakët kanë disa minuta të mira dhe në minutën e 35të do të barazojnë pas një krosi të ardhur nga këndi prej Gërços dhe shtashkurtri Pasha ka gjuajtur saktë me kokë, duke barazuar në 11.

Ka qenë ky dhe rezultati i pjesës së parë. Qysh në fillim të pjesës së dytë, Papuçiu ka bërë dy zëvendësime, duke nxjerrë dy lojtarët e rinj, Mahilaj e Jovani, për të hedhur në fushë dy futbollistë më me peshë e përvojë, si Çimili dhe Rama, ndërkohë që Dede vendos të çlodh Dragiçeviçin dhe të hedhë në fushë Mustafarajn. Loja nuk ka shumë nerv.

Da Silva, Gërço e Rama përpiqen tu imponojnë forcë kurbinasve, të cilët do ta marrin shumë shpejt situatën në dorë dhe do të shfaqen më këmbëngulës e më të rrezikshëm në fushë. Ka vetëm pak momente për tu përmendur për Apoloninë, ku Rama bllokohet nga mbrojtja e Gërço e detyron Vashakun të bëjë grushtime të vështira, ndërsa miqtë do të jenë konkretë, teksa kanë finalizuar dy herë me anë të Alfred Zefit.

Në minutën e 72të, futbollisti laçian ka vallëzuar mbi mbrojtjen fierake, teksa ka shmangur me radhë Da Silvën, Dimon e Mehmetajn, duke shënuar qetësisht përballë Xhixhës, ndërsa golin e dytë Zefi do ta shënonte në minutën e 89të, pas një pasimi të saktë të marrë nga Mustafaraj brenda zonës. Kështu, Laçi e ka merituar fitoren, duke i bërë nisjen më të mirë fazës së grupeve të Kupës së Shqipërisë, ndërsa Apolonia vazhdon të vuajë ende në ndeshjet në fushën e vet.

Dhimitër Papuçiu, trajner i Apolonisë: Është larguar i nervozuar drejt dhomave të zhveshjes, duke artikuluar vetëm frazën: Skandal, për të shprehur pakënaqësinë për lojën e zhvilluar nga skuadra e tij.

Nevil Dede, trajner i Laçit: Ka qenë një fitore e rëndësishme për ne. Kemi fituar në një ndeshje kupe, një kompeticion që ka specifikë tjetër. Duke qenë se gara është e vështirë dhe duke pasur parasysh dhe kontigjentin që kemi, ka qenë një mundësi e mirë për të bërë dhe rotacione të disa lojtarëve. Na gëzon fakti i disa fitoreve radhazi dhe do të bëjmë çmos që kjo frymë dhe ky moment të zgjasë sa më shumë në skuadër.

Sigurisht, ne synimet më të mëdha i kemi në kampionat, por pa lënë aspak jashtë vëmendjes dhe pa e nënvlerësuar aspak edhe kupën, duke marrë gjithçka me radhë. Kuptohet që është në synimin tonë kualifikimi për në tetë më të mirat e kupës, ndërsa në kampionat do të vazhdojmë të rendim drejt rezultateve pozitive dhe ngjitjes në tabelën e renditjes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›