Tirana diktatore edhe në kupë, dorëzohet shpejt Shkumbini
Bardhelutë nuk eksperimentojnë edhe në këtë kompeticion, duke marrë rezultatin dhe duke parë para
Skuadra e Tiranës vazhdon që të tregojë një formë të mirë edhe në kupë. Bardheblutë në ndeshjen e parë të grupeve, që është zhvilluar dje pasdite në Selman Stërmasi, e kanë pasur shumë të lehtë që të mposhtin peqinasit, që u kanë besuar formacionin shumë lojtarëve të moshës 17-18 apo 19 vjeçare, madje ndonjë prej tyre e kishte ndeshjen e debutimit me bardhekaltrit. Kurse Rubio pak ndryshime kishte bërë në 11-shen e parë, duke aktivizuar që nga minuta e parë Kalarin dhe Tushen.
Bardheblutë qysh në fillim të takimit e kanë pasur shumë të lehtë që të tregojnë egon e tyre në fushën e lojës. Sinjalet të parët i kanë dhënë kryeqytetasit me Likën dhe Duron, ndërsa Taku sapo shkon minuta e 27-të i afrohet golit, por e ndal vetëm traversa e Sejdos. Por pas katër minutave vjen edhe goli i avantazhit, ka qenë një faull brenda zonës, aty ku Balës me topin në zotërim i është prishur ekuilibri nga një mbrojtës peqinas dhe gjyqtari Alla ka dhënë 11-m, të cilin e ka kthyer në gol Klodian Duro.
Dy minuta më vonë shënon edhe Bala, pas një asisti të Tushes që po rritet ndeshje pas ndeshje. Pas pësimit të dy golave, peqinasit vazhdojnë të tregojnë freski, madje me anë të Gjatës përpiqen që të ndërtojnë sulme, mirëpo janë të ngathët para portës së Likës sulmuesit e Shkumbinit. Ndërsa kryeqytetasit vazhdojnë të krijojnë dhe shpërdorojnë raste flagrante me Balën, Takun, Likën apo Duron.
Gjithsesi, pjesa e parë përfundon me avantazhin e dy golave të skuadrës së Rubios. Në fraksionin e dytë të ndeshjes, skuadrat bëjnë zëvendësime, Tushe largohet dhe i lë vendin Heplesit, kurse Xhyra i lë vendin Karajt. Por Tirana nuk e ul ritmin e lojës, përkundrazi, trajneri Rubio u kërkon lojtarëve të tij që të mos falin para portës kundërshtare.
Duro është lojtari i radhës që humbet një tjetër rast për Tiranën, ndërkohë që peqinasit zënë në befasi mbrojtjen bardheblu dhe ngushtojnë diferencën me Artur Maganin, djalin e Gugash Maganit, aktualisht trajner i Besës. Ndërkohë që ekipet bëjnë zëvndësime, Duro i lë vendin Ferrajt te Tirana ndërsa te Shkumbini në vend të Isajt aktivizohet Lundraxhiu, kurse Gjata ndërrohet me Nexhën.
Bardheblutë, pasi kanë falur, shënojnë edhe një gol me Heplesin dhe tregohen dinjitozë edhe në kupë. Pavarësisht se kanë pasur përballë një Shkumbin me shumë lojtarë të rinj, 24 herë kampionët vazhdojnë të pësojnë, por edhe të humbasin raste para portës kundërshtare, një e metë që duhet riparuar nga trajneri Rubio.
Thanë pas ndeshjes
Hulian Rubio, trajner i Tiranës: Luajtëm shumë shëmtuar, nuk jam i kënaqur me lojën e skuadrës sime ndaj Shkumbinit. Prisja më tepër, megjithatë kështu e ka futbolli. Tashmë duhet të mendojmë për kampionatin, pasi në fundjavë do të luajmë një ndeshje të rëndësishme me Bylisin, ku synimi ynë i vetëm është fitorja e takimit.
Kristaq Mile, trajner i Shkumbinit: Më shumë e kemi mendjen te kampionati. Skuadra, ime me një kontigjent lojtarësh që nuk janë më shumë se 17-18 vjeçarë, nuk mund ta përballojë kupën dhe kampionatin njëkohësisht. Ne kemi objektiv mbijetesën, kështu që kupa nuk bën pjesë në planet tona. Kisha dëshirë që skuadra të vazhdonte të ruante freskinë edhe në pjesën e dytë, megjithatë, përballë kishim një Tiranë me shumë kualitete në përbërjen e vet.
