E Diel, 1 Nëntor 2026

Apolonia fiton finalen e pare per titull ne basketboll per femra

Nuk i ka kushtet në shtëpi, por kjo nuk e pengon që t’i fitojë ndeshjet brenda fushe. Apolonia e Fierit mundi 69-55 Flamurtarin e Vlorës në Durrës duke fituar ndeshjen e parë finale të plej ofit që përcakton titullin kampion në basketboll për femra.

Nuk pati thuajse aspak histori në pallatin e sportit “Ramazan Njala”, pasi skuadra e trajnerit Spiro Kuvarati bëri një nisje të shkëlqyer të ndeshjes duke fituar çerekun e parë të ndeshjes, 26-7. Flamurtari reagoi në çerekun e dytë, duke arritur të afrohej disi në 38-26, por sërish pati shpërthim të Apolonisë në të tretin ku epërsisë iu shtuan edhe 6 pikë të tjera dhe rezultati arriti në 55-37.

Çereku i fundit i takimit ishte thuajse formal, pasi diferenca ishte aq e madhe saqë nuk kishte më shpresë që të përmbysej. Gjithsesi, kjo ishte vetëm finalja e parë, ndërsa ndeshja e dytë do të luhet të mëkurën, më 2 maj, në pallatin e sportit të Vlorës në orën 18:00.

Kampione e Shqipërisë shpallet ajo skuadër që fiton e para 3 takime, ndërsa Apolonia do të vazhdojë të luajë në Durrës. Flamurtari ka qenë sundues në basketbollin shqiptar të femrave, me 8 tituj kampion radhazi, ndërsa këtë sezon ka fituar edhe Superkupën, por duket se skuadra nga Fieri është më pranë titullit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›