E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lioni fitues i Kupes se Frances

Nuk ndodhi mrekullia në Sent Denis, në rrethinat e Parisit. Finalja e Kupës së Francës në stadiumin kombëtar “Stadë dë Frans”, u fitua nga Lioni dhe jo nga vogëlushja amatore e quajtur Kuevil.

Skuadra e shquar, 7 herë kampione e vendit, fitoi 1-0, ndërsa epërsia e djemve të trajnerit Garde ishte e plotë thuajse gjatë gjithë 90 minutave. U krijuan disa raste për gol me anë të Lisandro Lopezit dhe Gomisit, por goli kishte vendosur të vonohej në takim.
Më në fund ishte Lisandro Lopez që i kaloi lionezët në epërsi në minutën e 28-të. Aksioni ishte koral me pjesëmarrjen e Gurkufit, Gomisit, Lakazetit dhe në fund Lopezit që goditi me të parën për në rrjetë.

Në pjesën e dytë Lioni vazhdoi presionin dhe goditi shtyllën me anë të Lakazetit, por Kuevil u përgjigj me rastin e vetëm të pastër të mbrëmjes. Antoni Lop thuajse shënoi, por gjuajtja e tij u devijua drejt shtyllës nga Joris.

Ky ishte përfundimi me Lionin që fitoi kupën e pestë të Francës në histori, ndërsa ka dalë 7 herë kampion dhe ka fituar një Kupë të Ligës. Këtë vit, më në fund u fitua një finale pasi u humb ajo e Kupës së Ligës ndaj Marsejës, por skuadra e shquar do të zbresë sezonin e ardhshëm në Ligën e Europës.

Sa për Kuevilin, ajo humbi finalen e dytë të Kupës së Francës, pas asaj të vitit 1927, ndërsa ka qenë në gjysmëfinale më 1968 e 2010. Kapiteni i Lionit, Joris ftoi edhe kapitenin e amatorëve, Bëgrar që të ngrinte trofeun e kupës bashkë me të.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›