Xhani: Çfarë kujtoni, se jemi në gjyqin e Kadri Hazbiut!

"Mos kujtoni se jeni në gjyqin e Kadri Hazbiut!". Kjo ishte kundërdeklarata e ashpër e presidentit të Partizanit, Albert Xhani, drejtuar dy prej anëtarëve energjikë të mbledhjes të zhvilluar në selinë e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Anëtarët e pranishëm në takimin e shumëpritur midis Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së dhe 12 krerëve të klubeve të Kategorisë Superiore (foto nga mbledhja) kërkuan ta vendosnin me shpatulla pas murit njëshin e të kuqve si të ishte në një "gjyq special" të kohës së Enver Hoxhës.
Dy anëtarët e mbledhjes (emrat nuk po i përmendim) i drejtuan një numër të jashtëzakonshëm pyetjesh Xhanit, i cili prej dhjetë sezonesh drejton 15-herë kampionet e Shqipërisë, Partizanin, një nga klubet më me influencë në futbollin shqiptar, por dhe presidentit të Vllaznisë, Valter Fushaj, numrit një të klubit më të vjetër në Shqipëri.
"Unë së bashku me presidentët e tjerë të klubeve kërkojmë të zgjidhim situatën", - iu drejtua Xhani të pranishmëve, duke i konsideruar tendecioze dhe të papranueshme dhe provokative pyetjet. "Cfarë kujtoni ju, se jemi këtu në gjyqin e Kadri Hazbiut!", mësohet tu këtë thënë Xhani. "Ne investojmë lekët e fëmijëve tanë".