Zbardhet “misteri” i zhdukjes së Salihit

Albania-sport - Hamdi Salihi, i konsideruar si blerja më e rëndësishme dimërore e skuadrës austriake SV Ried dhe si "magjistar i golit" nga trajneri i tij, Helmut Kraft, ditët e fundit ka qenë i sëmurë për shkak të një bronshiti. Golashënuesi i njohur shqiptar, "Këpuca e artë" e sezonit 2005-2006, ishte i detyruar të zbatonte urdhërin e mjekut të ekipit për regjim të detyruar. Sipas faqes zyrtare te klubit svried.at, pas dy ditësh mungesë, sot sulmuesi shkodran është rikthyer në stërvitje.
Hamdi Salihi ka shënuar katër gola në miqësoret e zhvilluar nga Ried: dy në humbjen kundër SC Schëanenstadt (2:4) dhe dy gola të tjerë fitoren kundër Vels të ligës së dytë (5-1)
Në një takim tjetër miqësor të zhvilluar, më 9 shkurt nga Ried në Belek më skuadrën e Ligës Rajonale të Jugut në Gjermani, SV Wehen dhe të humbur 1-2 nga skuadra e trajnerit Kraft, Salihi ka qenë pjesë e formacionit të parë.
SV Ried do të zhvillojë, në datë 15 shkurt miqësoren e fundit në Belek të Turqisë, dhe përballë skuadrës austriake do të jetë formacioni sllovak i Kategorisë maksimale, Kosice.
Para pak ditësh SV Ried fitoi me rezultat të thellë me skuadrën polake të kategorisë së parë Grodzisk Groclin (4-1), ku autori i një goli ishte shqiptari nga Maqedonia Emin Sulimani (35'). Hamdi Salihi nuk u aktivizua në takimin e luajtur më 7 shkurt në Belek të Turqisë, edhe pse trajneri Kraft kreu tetë ndërrime.
Në një intervistë dhënë para pak ditësh për sitin austriak offside.at, trajneri Kraft kishte dhënë këtë vlerësim për Salihin: "Ai ka cilësi të madhe në zonën e rreptësisë dhe ai mund të shënojë gol nga cdo pozicion. Për të nuk ka problem nëse topi do të vijë i lartë apo tokazi. Ai ka një aftësi të pabesueshme për të parashikuar atë që do të ndodhë më pas, mund të jetë më i shpejtë se të tjerët për të patur topin në kontroll. Nga ana tjetër ai është shumë i fortë në ndërtimin e lojës dhe mund të marrë edhe vetë topa. Ai arrin që edhe bashkëlojtarët e tij shpesh ti vendosë në pozicione të mira shënimi. Edhe në lëvizshmëri ai është shumë mirë, ai mund të luajë në një rritëm shumë të lartë loje".