Kaziragi: Kroacia dhe Greqia, dy rreziqet kryesore të Italisë

Albania-Sport - Menjëherë pas hedhjes së shortit të Kampionatit Evropian të U-21 për vitin 2009, kanë vijuar edhe reagimet e para të trajnerëve të skuadrave pjesëmarrëse në grupin e Shqipërisë dhe, pas trajnerit grek, është ai italian, futbollisti i mirënjohur Pierluixhi Kaziragi, ai që vecon Kroacinë dhe Greqinë si kundërshtaret kryesore në grupin e parë të eliminatoreve, ku eshte edhe Shqiperia, që nisin në fillim të qershorit të këtij viti dje zgjasin deri në shtator të vitit të ardhshëm.
Ndonëse është cilësuar, në teori, një grup i lehtë për Italinë, Kaziragi ka shprehur pakënaqësinë e tij për të qenit në një grup me 6 skuadra, ndërsa të gjitha grupet e tjera janë me nga 5 skuadra, gjë që, sipas trajnerit të 21-vjecarëve italianë, paraqet probleme logjistike dhe lodhjeje. "Shorti na ka caktuar në të vetmin grup me 6 skuadra, cka nënkupton se do të kemi për të luajtur dy ndeshje më tepër dhe, si rrjedhojë, më pak kohë në dispozicion midis ndeshjeve", - ka deklaruar trajneri italian nga holli ku është hedhur shorti sot, në Stokholm të Suedisë.
"Përsa i përket viteve të tjera, këtë radhë kualifikohet vetëm e para e grupit, dhe katër vendet e dyta më të mira, të cilat vijojnë më tej në "play-off", - ka shtuar trajneri i U-21 të Italisë. Skuadra e tij është përballur me Kroacinë në Groseto gushtin e shkuar, në debutimin e Kaziragit në pankinën e 21-vjecarëve italianë dhe ai kujton: "Ishte ndeshja ime e parë si trajner i skuadrës U-21 dhe, përvec emocioneve, më kujtohet që u ndamë me një 0-0. Jam përballur me këtë vend edhe kur isha lojtar dhe është një skuadër që ka shumë ngjashmëri me ne, - ka vijuar Kaziragi"
"Edhe Greqia është një kundërshtare që i ka të gjitha aftësitë për të dhënë maksimumin, cka u konfirmua më së miri në Lojërat Olimpike të Athinës", përfundoi trajneri italian. Këtë vit, skuadra përfaqësuese U-21 e Italisë, do të marrë pjesë në fazën finale të Kampionatit Evropian të U-21 për vitin 2007, që do të luhet në Holandë në qershor, dhe, përballë në fazën e grupeve, do të ketë Republikën Ceke, Anglinë dhe Serbinë.