Apolonia, jo me mision të pamundur në Vlorë
Apolonia e ka lënë pas humbjen me Tiranën dhe prej ditësh po përgatit një transfertë të vështirë, siç është takimi i radhës. Bardhejeshilët do të luajnë ndaj fqinjve të tyre vlonjatë, ndaj skuadrës së Flamurtarit, nënkampionëve në fuqi të Shqipërisë, të cilët janë rikthyer sërish në pozita të rëndësishme në këtë edicion. Apolonia ka tri javë pa marrë qoftë dhe një pikë të vetme dhe është mision i vështirë që të arrijë të sfidojë fierakët pikërisht në këtë ballafaqim. Gjithsesi, jo e pamundur.
Për skuadrën që drejtohet nga Dhimitër Papuçiu, Vlora nuk është një stacion i papushtueshëm dhe, në fund të fundit, bardhejeshilët nuk kanë se çtë humbasin në këtë transfertë. Nga ana tjetër, skuadra labe e ka të theksuar egon e vet, sidomos pasi janë kthyer fitues nga një fushë tradicionalisht e vështirë për ta, Ballshi. Ndonëse në këtë fundjavë fierakët do të kenë një mungesë shumë të rëndësishme, siç është ajo e kapitenit Julian Gërço, grupi do të kërkojë të konfirmojë se funksionon dhe do të guxojë.
Mesfushori 19-vjeçar i Apolonisë, Ledjon Muçaj, shprehet: Është një ndeshje e vështirë, sepse ndeshemi me një skuadër që nuk ka bërë asnjë hap të gabuar në fushën e vet dhe, për më tepër, gëzon një gjendje të mire, pasi javën e fundit ka fituar në një transfertë të vështirë.
Ne ia njohim forcën Flamurtarit, e dimë dhe që do të jetë një ndeshje jo e lehtë për ne, përkundrazi e vështirë, sepse në sezonet e fundit vlonjatët kanë qenë në grupin elitë të kampionatit, si dhe këtë sezon. Do të na duhet të jemi shumë të kujdesshëm, të mos biem në përsëritje të gabimeve të ndeshjeve të javëve të fundit. Stafi ynë teknik ka punuar dhe na ka dhënë orientimet për të mos dalë pa pikë nga kjo ndeshje. Dhe ne do të futemi në fushë me besim të plotë.
