E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apolonia kërkon ringritjen nga transferta në Krujë

Nga BUJAR RAMA

Humbja me Laçin në kupë ka qenë shumë e hidhur për skuadrën fierake, që pretendonte se do të realizonte kthesën e shumëpritur dhe do ti paraprinte ndeshjes së fundjavës në transfertën e Krujës. Apolonia ka humbur pastër me kurbinasit dhe kanë dhënë një provë tjetër paqëndrueshmërie. Dhe me të drejtë, trajneri Dhimitër Papuçiu, në fund të ndeshjes ka qenë jashtëzakonisht i pakënaqur me lojën e të tijve.

Dy humbje radhazi në shtëpi është një moment për tu ndalur gjerësisht dhe për të marrë masat e duhura në kohën e duhur. Nëse nuk korrigjohen në mënyrë emergjente mangësitë e vëna re në dy ndeshjet e fundit në Loni Papuçiu, atëherë për Apoloninë ekziston rreziku i ditëve gri. Kthimi në kampionat e përball skuadrën fierake me ndeshje transferte, ku kundërshtari është Kastrioti, një skuadër që ka filluar ti deklarojë në mënyrë konkrete ambiciet e veta, pasi ka filluar të jetë rezultative.

Dhe nuk është as më shumë e sa më pak, por pikërisht ky ekip që në javën e fundit ka fituar në një ndeshje të vështirë ndaj Bylisit në Ballsh. Megjithatë, bardhejeshilët nuk do të shkojnë të dorëzuar e të deklaruar humbës në Krujë, ndonëse në letër fitorja anon nga krutanët. Për mbrojtësin Kostandin Ndoni, takimi me Kastriotin do të jetë i vështirë, por skuadra fierake premton që do të jetë e përqendruar dhe do të kërkojë të mos jetë humbësja e takimit.

Kemi kaluar momente jo fort të mira, si në kampionat, ashtu dhe në kupë. Natyrisht që nuk janë rezultate që shkojnë paralel me synimet tona, prandaj dhe na duhet që të bëjmë kthesë në mënyrën më të shpejtë të mundshme. Do të luajmë një ndeshje të vështirë në Krujë, pasi Kastrioti ka një skuadër të fortë, me futbollistë cilësorë dhe që ka arritur të dalë në rezultatet pozitive në javët e fundit. Kjo na i dyfishon vështirësitë, pasi ata do të luajnë në fushën e vet. Gjithsesi, na duhet të futemi me besim në lojë dhe të jemi të kujdesshëm e kërkues, – është shprehur mbrojtësi i Apolonisë, Kostandin Ndoni.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›