E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malko rikompozon Lushnjën, të gjithë presin rilindjen e saj

Nga Julian Kasapi

Trajneri lushnjar do ti ketë të gjithë futbollistët në dispozicion për ndeshjen e nesërme, ku pritet që skuadra të shfaqet pretendente reale

Skuadra lushnjare i ka nisur me zell dhe me ngulm përgatitjet për ndeshjen e radhës kundër Elbasanit, me të cilin do të ndeshet në Roza Haxhiu këtë fundjavë. Stafi teknik, gjatë gjithë këtyre ditëve, e ka përqendruar punën në veprimet sulmuese, aty ku ka çaluar më së shumti skuadra verdhejeshile në javët e deritanishme.

Të gjithë presin që të kthehet në fushë sulmuesi kryesor, Fatjon Sefa, i cili është dëmtuar dy javë më parë. Ndërkohë, edhe pse vijnë pas një humbjeje, atmosfera në kampin lushnjar është pozitive dhe drejtuesit e grupi i futbollistëve besojnë se do ti rimarrin pikët e humbura.

Grupi i plotë Trajneri Saimir Malko e ka të gjithë kontigjentin të gatshëm për sfidën e nesërme me Elbasanin, me përjashtim të sulmuesit të ri Përnezha, që u dëmtua në ndeshjen e kontrollit. Stafi teknik po eksperimenton dhe lëvizjen e futbollistëve nga një pozicion në tjetrin, në funksion të më të mirës në fushë.

Për këtë janë parë eksperimente të Malkos në ndeshjen stërvitore, por edhe në seancat e përditshme, ku ka rënë në sy spostimi i Byzhytit në rolin e qendërmbrojtësit, ndërkohë që pozicioni i tij natyral është ai i mesfushorit shkatërrues. Lëvizja e titullarëve, sipas stafit teknik, bëhet me qëllimin që Lushnja të jetë sa më efikase në ndeshjet në vazhdim, duke filluar që nga e nesërmja me Elbasanin, që është një rival i myzeqarëve dhe duhet  mundur patjetër.

Llogari të vjetra Një llogari i vjetër është për tu mbyllur në kampin lushnjar. Trajneri Saimir Malko, disa vite më parë, është larguar nga stoli i Lushnjës pikërisht pas një humbjeje të saj me Elbasanin. Por, më shumë se hakmarrje, është një ndeshje, ku lushnjarët duhet ta tregojnë se çfarë mund të bëjnë edhe ndaj skuadrave të ashtuquajtura të mëdha të kategorisë së parë, pretendente për në superligë.

Qyteti i Lushnjës, ku futbolli konsiderohet jetik, do të jetë i gjithi në mbështetje të skuadrës, që ka dhënë shkëndijat e para në Gjirokastër, pavarësisht humbjes. Shumë prej tifozëve të larguar nga stadiumi Roza Haxhiu do të jenë përsëri aty për të parë skuadrën e zemrës që të fitojë dhe të bindë se vërtet është pretendente.

1 pikë

për ndeshje është mesatarja e lushnjarëve për 6 javët e deritanishme të kampionatit. Një shifër e papranueshme kjo për një skuadër pretendente, që është 7 pikë pas vendit të parë dhe që ka regjistruar dy barazime në fushën e saj, duke lënë 4 pikë thuajse të sigurta

8 gola

kanë shënuar verdhejeshilët në 6 ndeshje, 5 nga të cilët javën e parë me Mamurrasin. Reparti i avancuar mbetet problematik për lushnjarët

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›