Sejdini: Dinamo sdo tu mësojë këngën bilbilave
Trajneri i Dinamos, Faruk Sejdini, është tepër i shqetësuar për sulmet ndaj skuadrës që drejton dhe prêt reflektimin
Dinamo vazhdon të jetë në vështirësi. Për më tepër, hallet e bluve i shtojnë forca të ndryshme, si në rastin konkret xhaketat e zeza. Ndeshje pas ndeshjeje, blutë kanë analizuar gjyqtarët, të cilët, sipas tyre, janë kundër Dinamos, duke përfituar nga momenti i keq që blutë po kalojnë.
Pas ndeshjeve në kampionat, ku ankesa e fundit erdhi pas ndeshjes me Shkumbinin, ku sipas stafit blu, gjyqtari Cjapi ka mohuar një 11-metërsh të sigurt, teksa Lundraxhiu ndërhyri ndaj Asllanit, tashmë edhe ndeshja e Kupës së Shqipërisë, e luajtur ditën e mërkurë në Ballsh ndaj Bylisit vendës, ka sjell të tjera shqetësime për ish-kampionët e Shqipërisë.
Gjyqtari i ri nga qyteti i Durrësit, Koçi, ka akorduar një penallti-fantazmë, sipas bluve, duke irrituar stafin dinamovit. Trajneri Faruk Sejdini, pas stërvitjes së djeshme, e cila ishte e ndarë në dy grupe, pasi ata që luajtën në Ballsh u stërvitën veçmas, ka ngritur zërin për padrejtësi: Më erdhi vërtet keq që në një ambient mikpritës si ai në Ballsh, gjyqtari të bëhej protagonist.
Ne nuk kishim synime në këtë sfidë, sepse kishim marrë me vetë 6-7 futbollistë që e kishin për herë të parë debutimin në këtë sezon. Por edhe që të vendosë fatet e sfidës një gjyqtar i ri është jashtë sensit sportiv. Ju garantoj që në Ballsh ishte një ambient i qetë, njësoj si për opera, por vetëm gjyqtari e shkatërroi atë.
Mbase janë bilbila të rinj dhe duhet të mësojnë të këndojnë, por sigurisht në këtë moment të keq që ne po kalojmë për arsye që ju si media i njihni tashmë, këta elementë të rinj të gjykimit smund të mësojnë dorën me Dinamon,- shprehet me batutat e tij karakteristike trajneri 62-vjeçar i Dinamos, Faruk Sejdini, i cili është tepër popullor në ambientet sportive në Shqipërisë dhe shquhet për humorin që sjell me thëniet e ndryshme.
Por krahas humorit të Xhaxhit, ka edhe të vërteta, pasi dinamovitët ndeshje pas ndeshjeje po ndëshkohen me vendime të dyshimta. Me tendencë apo jo, kjo mbetet për tu gjykuar nga organet kompetente pranë FSHF-së, të cilat kanë në dorë organizimin e arbitrave. Por një gjë është e sigurt: ky është momenti më pak i përshtatshëm për të goditur një skuadër elite si Dinamo, e cila sot më shumë se kurrë po rrezikon, ashtu si edhe legjenda Partizani, rënien në greminën e futbollit shqiptar.
Gjithsesi, ndër të tjera, trajneri Faruk Sejdini ka analizuar edhe ndeshjen e radhës në kampionat përballë Laçit, në fushën e këtij të fundit. Është një takim i rëndësishëm për ne për vetë pozitat e vështira që po kalojmë. Pikët na nevojiten dhe po punojmë për të arritur një rezultat pozitiv në Laç.
Jemi të ngrohur nga fakti që në Laç luhet futboll. Është një ambient që të lë të tregosh vlerat maksimale si ekip. Ndërkohë që edhe kushtet e terrenit sportiv janë vërtet të admirueshme. Unë nuk kam qenë kohët e fundit si kundërshtar me ndonjë ekip në Laç, por ky është opinioni i përgjithshëm për fushën e Laçit sot.
Blofi i radhës, dështon takimi me MTKRS-në
Është folur gjatë për një takim të trajnerit të bluve, Faruk Sejdini, me zv.ministrin Dashnor Bajaziti, i cili më pas do të mundësonte edhe një tjetër takim me ministrin e MTKRS-së, z. Aldo Bumçi. Por teksa Xhaxhi ka pritur gjatë gjithë paradites një lajmërim nga ministria në fjalë, kjo sërish nuk ka ardhur. Dhe kjo është e disata herë që flitet për një bashkëpunim midis Dinamos dhe MTKRS-së, por që sërish ka qenë një blof. Dhe nëse ky takim nuk bëhet gjatë ditëve në vazhdim, do të thotë që një pengesë në këtë mes qëndron.
