E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nikaj: Ndaj Kukësit, 3-pikëshin e parë në shtëpi

Nga Gjergj Kola

Në ndeshjen e nesërme pritet të luajë titullar edhe shkodrani i njohur Albert Kaçi

Ada është ndalur në Elbasan javën që shkoi, por, sipas drejtuesve dhe futbollistëve të saj, humbja ishte e pamerituar. Ata janë të bindur se goli i pësuar është shënuar në pozicion jashtë loje, por Ada është mundur dhe kjo është një histori e kaluar. Që nga nesër velipojakët kanë mundësi të nisin një histori tjetër, që do të thotë seri fitoresh. Ata presin në fushën e tyre Kukësin, që po bën një paraqitje shumë të mirë këtë kampionat.

Sipas trajnerit Samuel Nikaj, janë marrë të gjitha masat që skuadra të arrijë një fitore, që do të kishte vlerën e 6 pikëve, ngaqë luhet ndaj një rivali direkt: Po, e vlerësojmë në maksimum ndeshjen me Kukësin, që është një kundërshtar shumë i fortë dhe po bën një kampionat shumë të mirë.

Prandaj duhet të bëjmë shumë kujdes ndaj tij. Po përpiqemi ta harrojmë humbjen me Elbasanin, ndonëse e pamerituar, duke menduar vetëm për ndeshjen e radhës, që duhet ta fitojmë patjetër për të marrë fitoren e parë në fushën tonë. Në dy ndeshjet e para në fushën tonë kemi barazuar dhe besoj se tashmë është e treta e vërteta, -  ka thënë trajneri i Adës, Nikaj.

Albert Kaçi Pozitiv është fakti që në takimin e nesërm, në formacionin e Adës do jetë edhe ish-futbollisti i Vllaznisë, Albert Kaçi. I ardhur këtë sezon tek Ada, mesfushori 30-vjeçar pritet ti shërbejë shumë kësaj skuadre me përvojën dhe aftësitë e tij. Këtë besim ka edhe trajneri Nikaj, i cili e vlerëson shumë këtë lojtar:

Me Kukësin do të jetë në formacion edhe Albert Kaçi, një lojtar me cilësi shumë të mira, që mund të jetë i rëndësishëm për çdo skuadër në superligë dhe jo më në kategorinë e parë. Kam shumë besim tek ai dhe mendoj se do të jetë i rëndësishëm për ne që në ndeshjen me Kukësin. Megjithatë, ai nuk mjafton i vetëm dhe bashkë me pjesën tjetër besoj se do të shkojmë te fitorja për tu rikthyer në vendin ku ishim edhe para dy javësh.

2 barazime

ka Ada në fushën e saj (2-2 me Besën dhe 1-1 me Gramshin). Sfida me Kukësin konsiderohet e treat, e vërteta, që më tepër që velipojakët vijnë pas humbjes me Elbasanin

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›