Kamza se ka luksin të gabojë në shtëpi
Sipas trajnerit Ernest Gjoka, kamzalinjtë tani kanë mentalitet tjetër dhe ska hapa falsë në fushën e tyre
Pas humbjes në javën e katërt, ku Apolonia i mundi kamzalinjtë në shtëpi, ndërprerja e kampionatit erdhi si kurë për blutë. Gjatë kësaj kohe, Kamza arriti të vendosë sërish ekuilibrat, duke e përmirësuar situatën. Këtë fakt e tregojnë dy ndeshjet e fundit, ku të shtunën e 15 tetorit kamzalinjtë barazojnë 0-0 ndaj kampionëve korçarë, ndërsa të mërkurën të besuarit e trajnerit Ernest Gjoka i bënë një start të bukur fazës së grupeve të kupës, ku fituan 1-0 ndaj Flamurtarit.
Trajneri Gjoka mendoi që ndaj vlonjatëve të mos rezervohej shumë, pasi, sipas filozofisë së tij, është më mirë që ta mbash grupin të motivuar dhe në gjendje pune. Kështu që për trajnerin përballja me Flamurtarin do të shkojë e gjitha në funksion të takimit me Tomorin. Në këtë takim të nesërm kamzalinjtë janë të bindur se nuk mund të përsëritet historia e ndeshjes me Apoloninë, kështu që Kamza nuk e ka luksin të gabojë sërish në shtëpi.
Beratasit janë i vetmi ekip i superligës, që nuk bëjnë pjesë në fazën e grupeve të kupës, kështu që parimisht ata janë më të freskët për sfidën e së shtunës me blutë e Kamzës. Ndeshja e kupës me Flamurtarin pa dyshim që do të na vlejë edhe për sfidën e së shtunës, ku presim Tomorin takim i vlefshëm për javën e gjashtë të kampionatit. Ndaj vlonjatëve skuadra tregoi grintë dhe jam i bindur se kjo grintë do të tregohet edhe ndaj beratasve. Humbja me Apoloninë konsiderohet e kaluar.
Po të shikosh pikët, ajo humbje na dëmton, pasi ato pikë na duheshin patjetër, por futbolli prandaj konsiderohet i paparashikueshëm. Tani do të kemi metalitet tjetër dhe besoj se do të jetë shumë e vështirë të humbasim në shtëpi. Mospërfshirja e Tomorit në kupë, i cili në mesjavë nuk luajti, ndoshta ndikon disi, por personalisht them se sa më shumë të stërvitesh dhe sa më i madh të jetë motivimi, gjithmonë je më pranë arritjes së suksesit,- u shpreh trajneri i Kamzës, Ernest Gjoka.
