E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani i plotë, nuk e llogarit humbjen në Roza Haxhiu

Nga Elton Karaj

Verdheblutë shkojnëtë qetë në këtë ndeshje, ku mendojnë se i gjithë presioni është mbi vendësit

Ekipi i Elbasanit e ka harruar shumë shpejt atë humbje të thellë në kupë, sepse te dera është sfida e kampionatit me Lushnjën, në fushën e kësaj të fundit. Një ndeshje e cilësuar e fortë, sepse kundërshtari është një nga emrat më të njohur të kategorisë së parë dhe pretendon ashtu si verdheblutë të ngjitet në superligë. Pavarësisht se Lushnja ka bërë hapa falsë javët e fundit, nuk do të thotë se edhe Elbasani mund të ketë të lehtë, për me tepër që myzeqarët luajnë në fushën e tyre dhe së fundi kanë bërë ndryshime në staf.

Elbasanasit shkojnë të qetë dhe moralin e lartë, pas dy fitoresh radhazi në shtëpi me Gramozin dhe Adën. Ata janë vetëm 3 pikë pas vendit të parë, por kujtojmë që kanë një ndeshje më pak. Elbasani është në pozita më komode në tabelë dhe ky fakt pritet ta favorizojë në 90-minutëshin e nesërm, ndërkohë që i gjithë presioni është mbi Lushnjën, që duhet të fitojë patjetër. Një fitore e mundshme në stadiumin Roza Haxhiu do të thoshte shumë për të besuarit e trajnerit File, por ndoshta edhe barazimi nuk do të ishte keq.

Gjendja Mungesa e vetme e verdhebluve në ndeshjen e radhës është ajo e mbrojtësit Ganiol Kaçuli, i cili vazhdon të vuajë pezullimin prej 5 ndeshjesh të dhënë nga komisioni i disiplinës. Futbollistët e drejtuar nga dyshja File-Dosti kanë treguar formë të mirë në javët e fundit dhe në Lushnjë mendohet se do të jenë edhe më mirë për vetë faktin se edhe nga stoli ka pasur sinjale pozitive, që do të thotë se për stafin teknik ka më shumë mundësi zgjedhjeje.

Verdheblutë e kanë të qartë se për të shkuar në superligë duhet të marrin sa më shumë pikë ndaj rivalëve të drejtpërdrejtë, kështu që me Lushnjën do të bëjnë të gjitha përpjekjet të paktën për të mos pësuar humbje. Këtë radhë ata kanë shumë besim se do ta thyejnë tersin e transfertave, që do të thotë se mund të arrihet fitorja e parë jashtë, sepse janë mundësitë për ta bërë këtë gjë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›