Të abstragosh njerëzoren
Shprehja e saj artistike është e lidhur ngushtë me trajtat njerëzore. Motivet e rrjedhura së këtejmi, të ngritura në art përmes abstragimit, gjenden të përthyera në grafikë dhe pikturë. Këto gjini pikëtakohen pa mund në krijimet e Blerta Xhomos. Është një konstatim lehtësisht i arritshëm, teksa kalon nga një punë te tjetra, të ekspozuara në studion private që në një të ardhme do të quhet studio "Xhomo". Punëve të saj do t‘i bashkëngjiten edhe ato të vëllait, Armand Xhomos, i cili pas ‘90-ës krijon dhe ekspozon suksesshëm në Itali e më gjerë, si dhe pikturat e bashkëshortes së tij. Vëlla e motër, ndonëse artistë në dy ambiente të ndryshme, kanë paralele në motive dhe në trajtimin e tyre. "Ndoshta është shkolla ku ne jemi formuar e kjo duket se çuditshëm na çon në një gjuhë të përbashkët", shprehet Xhomo. Një cikël nudosh në grafikë, realizime të hershme, janë të parat që të prezantohen. Më tej, në një hapësirë më vete, thuajse në intimitetin e tyre, gjen të tjera grafika. Lutje, dhimbje, shpresë, portrete, abstragime përcillen përmes këtyre realizimeve që nuk janë veç bardhezi. Nën hijen e tyre, tonalitete të tjera ngjyrash vendosen në funksion të idesë. "Grafikët, duke pasur parasysh edhe kohën kur janë krijuar, kanë një përsiatje më të fortë. Unë përzgjedh trajtën simbolike për të trajtuar e interpretuar tema që mbushin jetën tonë jo vetëm si artistë, por edhe si njerëz. Lakonikja vjen më së shumti te grafikët e mia, ndaj gjendet një pikëtakim mes saj dhe pikturës", shprehet Xhomo, e cila në vitin 1991 është diplomuar në Akademinë e Arteve, në degën e Pikturës, në specialitetin e Grafikë-dizajnit. Format e para grafike janë shfaqur tek ajo që në moshën 8-vjeçare dhe i kultivoi ato ndër vite. Nudot janë të pranishme edhe në pikturën e saj. Janë kryesisht linja femërore që në vetvete mbartin paksa agresivitet. Për të, secila qenie njerëzore merr përsipër të komunikojë fizikisht dhe zhveshja e trajtave të tyre vjen natyrshëm, si një komunikim i përzgjedhur artistik nga piktorja. "Mua më intrigojnë shumë format njerëzore me të gjitha të mirat, të bukurat, të papriturat, ikje-ardhjet në këtë ambient", thotë ajo. Këtë dimension njerëzor nuk e ka zhveshur as nga realizimet filmike. Angazhimet e saj më të fundit me filmin e animuar vijnë deri në vitin 2004-2005. "Duhet të kemi parasysh se këta filma kanë publikun e tyre që fillon nga një moshë e vogël, deri në madhore. Në perceptimin e përgjithshëm mendohen më së shumti si përralla për fëmijë, me personazhe kafshë. Ndërsa për mua kanë qenë të suksesshëm ata filma që kanë marrë përsipër të trajtojnë çështje njerëzore". Të tillë janë "Marioneta", "3 në 1" apo "Gjigandi i vetmuar", me të cilin është vlerësuar me çmimin e parë në Festivalin e 10-të të filmit shqiptar më 1995. Natyrshëm biseda zhvendoset te pikturat. Karakterizohen nga ngjyra të gjalla. Gjithnjë të përzgjedhura, lidhur ngushtë me formën dhe idenë. Dy elementë që përbëjnë parimin në punën e saj si artiste. Gjen aty edhe motive tradicionale, të rrokura përmes detajeve fine brenda kuadrit të pikturës. Veç dy portreteve me veshje popullore, në të tjera piktura tradicionalja shfaqet në formën e objekteve që plotësojnë idenë. "Unë jetoj në këtë vend dhe normalisht që tradicionalja është brenda meje. Ndonëse unë nuk i shkoj asaj deri në thellësi, është e prekshme në pikturat e mia", shprehet Xhomo. Brenda tablove të saj gjen shumë muzikë. E pranishme në mënyrë trajtimi apo edhe përmes instrumenteve. Një violinë apo një fyell e bëjnë atë më të dukshme. Blerta e adhuron muzikën. Qasja e parë me artin për të ka qenë përmes tingujve. Që e vogël i ka pëlqyer violina. "Tentova, por nuk kisha vesh mjaftueshëm. Nuk kam provuar asnjëherë të bëj një pikturë pa muzikë. Është e pamungueshme", tregon ajo. Mes pikturave të ekspozuara ka edhe nga ato që nuk e kanë marrë prekjen përfundimtare. Në një proces të natyrshëm, Xhomo i lë e pastaj i rimerr tablotë e saj. Ashtu siç ndodh shpesh edhe me motivet. Të krijuara vite më parë, Blerta i ripunon për t‘i sjellë në kërkesat artistike që i shtron momenti. Në një qoshe gjendet edhe tabloja e fundit. Është si një "britmë" artistike. Gjymtyrë njerëzorë (krahë), që mund të lexohen në shumë mënyra.
Ka lutje, dhimbje, lajka, intrigë, dashuri dhe njerëz paksa të çartur. Së fundmi edhe ngjyrat duket se i shkojnë pas këtij rebelimi. "Kohët e fundit vihet re një ikje e lehtë në motive, por gjithsesi u referohem motiveve të mia bazë. Janë abstragime me formën njerëzore, ndonëse përmbajtja vjen herë-herë në trajta agresive. Ndoshta është një akumulim i imi personal, ose i rrjedhës sime sociale e shoqërore. Artisti është i pandarë nga rrethanat kulturore, sociale dhe personale në të cilat krijon", tregon Xhomo. Kontaktin e saj me publikun e ka pasur përmes disa ekspozitave kolektive. Pesë herë ka qenë konkurrente në ekspozitën "Onufri", ndërsa ka ekspozuar në Firence dhe në Danimarkë. Në planet e afërta parashikon një ekspozitë të përbashkët me vëllain e saj, ndërkohë që brenda studios, përballë kanavacës, penelat do t‘i binden prirjes së saj për të pikturuar.
Ka lutje, dhimbje, lajka, intrigë, dashuri dhe njerëz paksa të çartur. Së fundmi edhe ngjyrat duket se i shkojnë pas këtij rebelimi. "Kohët e fundit vihet re një ikje e lehtë në motive, por gjithsesi u referohem motiveve të mia bazë. Janë abstragime me formën njerëzore, ndonëse përmbajtja vjen herë-herë në trajta agresive. Ndoshta është një akumulim i imi personal, ose i rrjedhës sime sociale e shoqërore. Artisti është i pandarë nga rrethanat kulturore, sociale dhe personale në të cilat krijon", tregon Xhomo. Kontaktin e saj me publikun e ka pasur përmes disa ekspozitave kolektive. Pesë herë ka qenë konkurrente në ekspozitën "Onufri", ndërsa ka ekspozuar në Firence dhe në Danimarkë. Në planet e afërta parashikon një ekspozitë të përbashkët me vëllain e saj, ndërkohë që brenda studios, përballë kanavacës, penelat do t‘i binden prirjes së saj për të pikturuar.