E Diel, 1 Nëntor 2026

Apolonia në Serbi, sporti "sheshon" mosmarrëveshjet mes dy vendeve

Apolonia është skuadra e parë shqiptare që zhvillon fazën përgatitore në Serbi. Për stërvitjen në prag të sezonit të ri, pas udhëzimeve të trajnerit Esad Karishik, drejtuesit e klubit fierak zgjodhën Sjenicën: temperaturat optimale dhe relievi malor e bëjnë qytetin në distriktin e Zlatiborit një destinacion të përshtatshëm. Por, udhëtimi i bardhejeshilëve drejt vendit fqinj, ka shërbyer edhe për të sheshuar tensionet nëpërmjet sportit mes dy vendeve. "Kushtet stërvitore, ashtu sikurse edhe kushtet e tjera, janë shumë të mira", u shpreh drejtori i klubit, Iliaz Haxhiaj. "Hoteli është fantastik, dëshirojmë t‘i falënderojmë në emër të së gjithë skuadrës për mikpritjen. Të njëjtën gjë mund të them edhe për drejtuesit e skuadrës së këtij qyteti, të cilët na kanë ndihmuar me gjithçka që na është nevojitur. Edhe pse marrëdhëniet politike mes dy vendeve nuk janë në nivelet maksimale, në sport ndodh e kundërta". Aktualisht në radhët e Apolonisë militojnë katër futbollistë serbë (numri i tyre mund të rritet në merkato), e Haxhiaj theksoi kontributin e tyre në arritjen e rezultateve sportive: "Lojtarët serbë që luajnë me ekipin tonë janë mjaft cilësorë. Ata janë bërë pjesë e kulturës sonë dhe në Fier ndihen si në shtëpinë e tyre".

Në anën tjetër, trajneri Karishik zbuloi objektivat për sezonin e ardhshëm. Drejtuesi i stolit nuk e fshehu dëshirën që fierakët të luftojnë për vendet e para, në mënyrë që të sigurojnë edhe një "biletë" europiane. Ai tha: "Punoj prej nëntë muajsh me Apoloninë. Gjatë sezonit të kaluar arritëm të mbijetonim në Kategorinë Superiore. Prej disa vitesh skuadra nuk luante me rregullsi në elitë dhe falë punës që bëmë qëndruam mes më të mirëve. Me rezultatet në fushë, drejtuesit e klubit vendosën të më rinovonin kontratën edhe për dy vjet. Tashmë, objektivi ynë është të renditemi sa më lart në kampionat. Me dy-tri përforcime të tjera, mund të luftojmë për 3-4 vendet e para, që të sigurojnë pjesëmarrjen në kupat e Europës". Në fund, ai dha edhe një vlerësim për Sjenicën: "Ky është vendi ideal për përgatitjen e sportistëve. Shpresoj që vitin e ardhshëm, numri i skuadrave shqiptare që do vijnë këtu të jetë më i madh, pasi kushtet janë optimale".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›