Ujkani vendimtar, Novara në turin e dytë të Kupës
Kanë mjaftuar vetëm pak ditë që Samir Ujkani të shfaqet si një lojtar mjaft i rëndësishëm i Novarës. Portieri i Kombëtares shqiptare ka luajtur ndeshjen e parë zyrtare me klubin e Ligës Pro (Kategoria e Tretë) dhe menjëherë ka shkëlqyer. 21-vjeçari ishte një prej protagonistëve kryesorë, në sfidën kundër Peshinas, e vlefshme për turin e parë të Kupës së Italisë. Novara, e drejtuar nga Teser, fitoi me rezultatin 1-0, me golin e realizuar nga Bertani në të 67-ën, megjithatë ishin pritjet e "gardianit" kuqezi ato që i "dhuruan" kualifikimin vendasve. Me ndërhyrjet e tij, Ujkani ka shpëtuar portën të paktën në tri raste, duke neutralizuar sulmuesit kundërshtarë. Portieri ishte objektivi kryesor i Novarës për sezonin e ri: drejtuesit e klubit synojnë ngjitjen në Serinë B. Ujkani është transferuar në formë huazimi nga Palermo, pasi lojtari kërkonte më shumë hapësira për t‘u aktivizuar.