E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apolonia, parku antik në rrezik shembje

 

FIER - Dëmtimet e shumta që ka pësuar në infrastrukturë Parku antik i Apolonisë, bëri që administratorët e tij të japin alarmin e të kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme. Sipas tyre, është tepër urgjente ndërhyrja në të, pasi shumë pjesë të këtij parku janë të rrezikuara. Gjithashtu ata kërkojnë prej autoriteteve frenimin e kodrës ku ndodhet muzeu, pasi ajo po rrëshqet. Admir Xhelaj, specialist arkeolog, u shpreh se Portiku i Muzeut të Parkut të Apolonisë ka pësuar çarje dhe dëmtime të konsiderueshme në  pothuaj të gjithë godinën. “Çarjet kanë prekur jo vetëm dyshemenë, por edhe muret. Salla e muzeut është prekur nga dëmtimet, por edhe ambjentet ku qëndrojnë statujat kanë pësuar dëmtime të mëdha”, u shpreh Xhelaj. Sipas tij, shkaqet që po çojnë drejt shkatërrimit këto vlera antike, arkeologjike dhe arkitektonike të këtij parku, janë të shumta. Përveç mungesës së fondeve për mirëmbajtjen dhe restaurimin e objekteve, më e rëndësishme është ndërhyrja në kodrën ku ndodhet muzeu. “Kodra ku ndodhet portiku dhe muzeu arkeologjik po rrëshqet. Duhet urgjentisht frenimi i këtij fenomeni. Autoritetet e qeverisë duhet të ndërhyjnë me ndërtimin e disa pritave dhe muraleve mbajtëse të kësaj kodre, e cila duke lëvizur nga vendi dhe duke u fundosur shkakton shkatërrimin e të gjithë ndërtimeve që ndodhen mbi të”, u shpreh më tej Xhalej. Edhe arkeologu Lami Koco, disa ditë më parë, deklaroi se duhet të ndërhyhet në mënyrë urgjente duke sinjalizuar rrezikun e shkatërrimit të këtij parku. Instancat përkatëse bëjnë të ditur se aktualisht mungojnë fondet pasi ky investim kap shuma të mëdha.                                     m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›