Merkel fiton zgjedhjet në Gjermani, tani koalicion i ri
Rezultatet e para në Gjermani treguan se Anxhela Merkel e ka mundur Ministrin e saj të Jashtëm, Frank Valter Shtajnmajer, në zgjedhjet e së dielës. Sipas rrjetit televiziv gjerman, NTV, Qendra e djathtë e Unionit Kristian Demokrat të Merkelit ka fituar 33,7 për qind të votave. Exit Pollet kanë treguar se Ministri i Jashtëm gjerman, Shtajnmajer ka marrë 23,4 për qind të votave me qendrën e majtë të Social-Demokratëve. “Jo vetëm ju jeni të lumtur, por edhe unë jam shumë e lumtur gjithashtu”, tha Merkel përballë brohoritjeve të simpatizantëve në selinë e saj. “Ne kemi kryer diçka të madhe. Ne ia kemi dalë mbanë. Ne e kemi arritur qëllimin tonë të zgjedhjeve, për të mbajtur një shumicë të qëndrueshme në Gjermani dhe një qeveri të re me një koalicion të ri”, tha Merkel, ndërsa turma thërriste “Angie, Angie, Angie”. Ndërkaq, Ministri i Jashtëm Shtajnmajer pranoi atë që ai e quajti “një humbje të hidhur për Social-Demokratët”. “Votuesit kanë vendosur, dhe rezultati është një ditë e keqe për ne”, tha Shtajnmajer në një fjalim të mbështetësve. Ai falënderoi ata që ndihmuan në fushatën e tij dhe ata që e mbështetën atë. Aktualisht të dy palët janë në një koalicion, dhe Shtajnmajer është Ministri i Jashtëm i Kancelares Merkel. Sipas komenteve të CNN, Merkel favorizonte shkurtimin e taksave për të nxitur zhvillimin, ndërsa Shtajnmajer kundërshtonte shkurtimin taksave. Vendi tani është në borxhe. Çdo gjerman kishte të drejtë për dy vota, një për anëtarët e Parlamentit që do të përfaqësonin rajonet dhe një tjetër për partinë politike. Konservatorët e kancelares gjermane, Angela Merkel, duket se kanë fituar mjaft vota në zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani, për ta formuar qeverinë e koalicionit me partnerët e preferuar, Demokratët e Lirë.