E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apolonia shokon Kamzën, sërish Rama protagonist

Kamza Apolonia  0-1

Shënues: Rama 68

Kamza: Bytyçi, Ardit Beqiri, F. Tafaj, Likmeta (Capa 71), Hallaçi, Belçev, Manuka (Mici 73), Ishka, Pema, Karapici (Oladotun 63), Ziambo. Trajner: E. Gjoka.

Kartonë të verdhë: Pema

Apolonia: Xhelili, Ndoni, Muhaj, Mehmetaj, Ferdinand, Çarls, Gërço, Muça, Meto, Riba (Agastra 93), Rama (Pasha 80). Trajner: Dh. Papuçiu

Kartonë të vedhë: Gërxho, Çarls, Muhaj, Mehmetaj (2)

Karton i kuq: Mehmetaj

Gjyqtarë: L. Mustafaraj, E. Barushi, (Tiranë), Gj. Bori (Shkodër)

Radiografia

6- Ziambo merr një top brenda zonës së Apolonisë dhe shumë pranë portës gjuan, topi përplaset te këmëbët e portierit Xhelili.

31- Ishka nga distance kërkon të surprizojë, por topi përfundon jashtë.

42- Manuka, nga një goditje standarde, lëshon një top në zonën fierake, Belçev e godet topin me kokë, por përfundon jashtë.

64- Oladotun, në rrëmujë e sipër, shmang dy  mbrojtës të Apolonisë, hyn në zonë, por është Ziambo që ia rrëmben topin, gjuan, pret Xhelili.

68 Fierakët, në mesfushën e tyre, thyejnë një sulm të vendasve. Çarls e rrëmben topin, avancon drejt portës së Kamzës, më pas pason për Ramën, që me një lëvizje mashtruese krjon hapësirë në hyrje të zonës, gjuan, topi përplaset te portieri Bytyçi, por përfundon në rrjetë. 0-1 për Apoloninë.

76 Ribaj humbet një rast të pastër për miqtë, pasi i vetëm me Bytyçin, gjuan, por topi përplaset në trupin e portierit të Kamzës.

82- Sulmuesi i kamzalinjëve, Ziambo, me topin në kontroll brenda zonës ka kontak me një mbrojtës të Apolonisë, rrëzohet, por përpos protestave të vendasve për 11-metërsh, gjyqtari Mustafaraj vazhdon lojën.

86 Mici manovron bukur me topin brenda zonës fierake, ka një ndërhyrje ndaj tij, që sërish pretendohet për penallti, por topi përfundon te Capa dhe gjyqtari lejon avantazhin. Mesfushori gjuan diagonal me portën, por miqtë e devijojnë topin, i cili përfundon jashtë.

91 Ziambo, shumë pranë portës mike, bën më të vështirën, e dërgon topin jashtë.

93- Capa nga e djathta lëshon një top në zonë, Oladotun me kokë e kalon topin te Pema, që po me kokë e dërgon topin në rrjetë. Por goli anullohet, pasi anësori e gjykon në pozicion jashtë loje.

94- Kundërsulm i fierakëve, Gërço nga distanca lëshon një top në formë parabole, që godet traun e portës së Kamzës.

 Komenti

Në tri javët e para ishte folur me superlativa për blutë e Kamzës, që janë debutues në kategorinë superiore. Por java e katërt e ka shpalosur Kamzën të transformuar, që mundet 1-0 në shtëpi nga Apolonia. Pra ishin fierakët që kokëulur erdhën në Kamëz, bënë lojën e tyre dhe u larguan duke marrë maksimumin, ndërsa vendasve u shuajnë dritën, duke u lënë dy javë kohë për të reflektuar. Ndryshe nga pesë ndeshjet e tjera zyrtare, 3 për kampionat dhe 2 për kupë, dje kamzalinjtë nuk kanë arritur të shënojnë. Të besuarit e trajnerit Ernest Gjoka kanë pasur një mori rastesh për shënim, por në fund ka fituar nxitimi, dhe pse jo amatorizmi në finalizimin e aksioneve. Ndaj Apolonisë, Kamza u shfaq pa ide të qarta dhe konfuze, pasi e përshtjellonte gjetjen e rrugës së golit. Kjo humbje në shtëpi mund ti kushtojë shumë kamzalinjëve, kur të bëhet bilanci përfundimtar. Gjithsesi, trajneri Gjoka e konsideron këtë disfatë si një shpullë të nevojshme, që vjen në momentin e duhur, pasi te blutë kishte një fryrje artificiale. Duke ditur se kampionati ndërpritet, kamzalinjtë kanë dy javë kohë për të rikuperuar, por kundërshtari i radhës është shumë i vështirë, pasi luajnë në Korçë me kampionët në fuqi. Duke ditur se trajneri Stavri Nica është i pezulluar, fierakët u drejtuan nga trajneri Dhimitër Papuçiu.

Pjesa e parë Janë vendasit që nisin më mirë takimin dhe dukej qartë se ata ishin të interesuar vetëm për fitore, ndërsa miqtë mendonin më shumë të prsinin kundërshtarin në fushën e tyre dhe të shfrytëzonin kundërsulmin e shpejtë. Kamzalinjtë i kanë më të shumta rastet për shënim, por edhe ata vijnë nga goditjet standarde, pasi nuk bëhej fjalë për rrjedhshmëri aksionesh.

Pjesa e dytë Edhe pjesa e dytë nis me iniciativën e vendasve, ku përveç ndryshimeve që trajneri Gjoka mundohet të bëjë, sërish mungon finalizimi. Po nuk shënove do të pësosh, dhe në minutën e 68-të fierakët i zënë në vështirësi kamzalinjtë në mbrojtje dhe Rama shënon golin e tripikëshit për Apoloninë. Kamza pretendon në dy raste për 11-metrësh, por gjyqtari nuk i konsideron pretendimet e vendasve. Në minutën e 93-të Kamza arrin të shënojë me Pemën, por për anësorin Barushi është pozicion i parregullt dhe gjithçka përfundon 0-1. Në minutën e 85-të Apolonia mbetet me 10 vetë, pasi Mehmetaj merr kartonin e dytë të verdhë.

Gjoka: Na duhej kjo shpullë, ishim në eufori

Mbase diçka u bë gabim, ose ndoshta e menduam Apoloninë më të lehtë nga sa duhej. Kundërshtari shfrytëzoi në një moment gabimin në rreshtim dhe shënoi. Ndoshta ishte një shpullë që na duhej, pasi kishte një eufori ku pretendonim të bënim ndeshje akoma më të mira në shtëpinë tonë. Mbase kjo erdhi në momentin e duhur, ku duhet të vlerësojmë çdo gjë. Patëm shumë vështirësi për të dalë te goli dhe në fund sakrifikuam çdo gjë për të shënuar. Patëm shumë raste që nuk u finalizuan, mbase nxituam, apo nga stresi i mosgjetjes së golit. Apolonia fitoi me meritë, por ne do të reagojmë fuqishëm.

Papuçiu: Ishin më shumë se 3 pikë për Apoloninë

Normal, kjo që arritëm sot (dje) ndaj Kamzës është më shumë se një fitore për Apoloninë. Ekipi, përveç tripikëshit, arriti gjendjen maksimale në aspektin tekniko-taktik e psikologjik. Ishte një ndeshje shumë e vlerësuar dhe në fund u mblodhën të gjithë elementët dhe morën maksimumin. Pa ambicje nuk ka kuptim, gjë të cilën e treguam edhe ndaj Kamzës, por ne do të vijojmë punën tonë. Nuk jam diplomat, por mund tu them mos u çudisni sepse fituam sot (dje), pasi takimi edhe mund të përfundonte në barazim. Jam i kënaqur që ekipi veproi si grup.

1 tetor, por ka vend ndërpreja për tu freskuar 

Ndonëse është fillimi i tetorit, temperaturat mbeten sërish të larta dhe ka nevojë që të ndërpritet loja, në mënyrë që lojtarët të freskohen. Në minutën e 25-të, duke shfrytëzuar edhe ndërprerjen e lojës, pasi në fushë pati një lojtar të dëmtuar, gjyqtari Mustafaraj i lejon dy ekipet që të afrohen pranë pankinave, që te freskohen, por pa dalë nga fusha.

Të veçanta

-         Takimin e kanë ndjekur rreth 2 mijë tifozë dhe të pranishmit kanë hyrë në stadium me bileta të derbit Tirana-Dinamo, që mbanin mbishkrimin e stadiumit Selman Stërmasi.

-         Pas pësimit të golit, kryetari i bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, është larguar nga stadiumi, ku dukej qartë pakënaqësia nga loja e ekipit.

-         Gjyqtari i katërt, Artan Taullaj, ka ndërhyrë në një moment në pjesën e dytë, pasi Ardit Beqiri duhej të dilet jashtë për tu mjekur, pasi ishte i përgjakur në këmbën e majtë. Lojtari kërkonte të vijonte, pasi Kamza ishte në sulm, por gjyqtari ka përdor veton, duke e detyruar mbrojtësin të merrte mjekimin e nevojshëm.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›