Rebelët e futbollit

Carlos Tevez është futur në telashe të mëdha me klubin e tij Manchester City. Por, ylli argjentinas nuk është futbollisti i parë e sigurisht as i fundit që u përgjigj me‘jo’ pas thirrjes së trajnerit për inkuadrim në lojë si rezervist. ESPNSTAR.com ka veçuar edhe raste të tjera kur një futbollist refuzoi të paraqitet si rezervist, duke treguar edhe pasojat që përcollën rebelimin e tyre.
Pierre van Hooijdonk, Nottingham Forest (2008)
Rasti: Van Hooijdonk erdhi nga Celtic kur Nottingham merrte pjesë në divizionin e parë (siç quhej në atë kohë). Pavarësisht një sezoni të parë të vështirë, Van Hooijdonk shpërtheu në vitin e tij të dytë në Angli dhe i ndihmoi ekipit të kthehet në Premierligë me 34 gola gjatë atij edicioni. Mirëpo, shitja e partnerit sulmues Kevin Campbell te klubi turk Trabzonspor e hidhëroi atë.
Veprimi: Van Hooijdonk kërkoi të vihet në shitje. Ai hyri në grevë nga fillimi i sezonit (gusht) deri në nëntor dhe u kthye në Holandë për të ruajtur formën fizike.
Pasoja: Van Hooijdonk më pas u kthye në ekip, por veprimi i tij rebeles u prit negativisht nga bashkëlojtarët. Ata refuzuan të festojnë golat me të. Van Hooijdonk u shit në Vitesse Arnheim në fund të sezonit.
Paul Scholes, Man United (2001)
Rasti: “Scholes kishte humbur vendin në formacionin bazë për shkak të kombinimit të formës së dobët dhe aktivizimit jashtë pozitës së tij pas ardhjes së Juan Sebastian Veronit. Ai ishte lënë në pankinë për ndeshjen e rëndësishme kundër Liverpoolit, kur United u mposht 3-1.
Veprimi: Scholes u desh të udhëhiqte ekipin e të rinjve kundër Arsenalit në League Cop disa ditë më vonë dhe e konsideronte ofendim për aftësitë e tij dhe refuzoi të luajë duke hidhëruar menaxherin Sir Alex Ferguson.
Pasoja: Ai u gjobit me pagën e dy javëve, por u pajtua me Sir Alexin dhe vazhdoi karrierën e suksesshme në Manchester United deri në pensionim më 2011.
Paul Scholes, Angli (2004)
Rasti: Për shkak të përpjekjeve të selektorit të atëhershëm të Anglisë, Sven Goran Eriksson, të akomodojë talentet si Frank Lampard dhe Steven Gerrard, Scholes luajti jashtë pozitës së tij si mesfushor i majtë.
Veprimi: Scholes vendosi të përfundojë karrierën e tij me Anglinë në moshën 29 vjeç, një veprim që nga shumëkush u përshkrua si mungesë e patriotizmit.
Pasoja: Anglia e ndjeu mungesën e Scholesit dhe të gjithë selektorët pas Erikssonit u munduan ta bindin të kthehet në ekip, por pa sukses.
Luis Figo, Inter (2008)
Rasti: Spekulohej se futbollistët ishin të pakënaqur me mënyrën se si trajneri i atëhershëm i Interit, Roberto Mancini, ishte duke udhëhequr ekipin.
Veprimi: Në një rast të ngjashëm me atë të Tevezit, Luis Figo ishte rezervist për ndeshjen e parë të fazës eliminatore të Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit. Mancini vendosi ta inkuadronte Figon pasi Fernando Torres e kishte kaluar në epërsi Liverpoolin në minutën e 63-të. Figo injoroi italianin dhe u largua nga stadiumi.
Pasoja: Mancini humbi besimin në Giuseppe Meazza dhe u largua në fund të atij sezoni kryesisht për shkak të asaj ndeshjeje me Liverpoolin. Figo u pensionua si hero në Inter, ku vazhdon të jetë në rolin e drejtorit teknik.
Robbie Fowler, North Queensland Fury (2010)
Rasti: Fowler ishte jashtëzakonisht i famshëm në ekipin nga A-League e Australisë, ku erdhi si përforcim i madh, udhëhoqi skuadrën si kapiten dhe në sezonin e tij të parë shënoi dy gola kundër rivalit të vjetër Gold Coast United.
Veprimi: Ish ikona e Liverpoolit ishte lënë në pankinë për një ndeshje kundër Brisbane Roar, ku trajneri për arsye përmendi ndryshimin e formacionit në 4-5-1. Fowler refuzoi të paraqitej në një ndeshje të ardhshme duke zgjuar spekulime se karriera e tij në Queensland Fury kishte ardhur në përfundim.
Pasoja: Fowler zhvilloi edhe tri takime të tjera për Fury para se të largohej për në Perth Glory disa muaj më vonë, por jo para se t’i paditë ata për keqtrajtim të futbollistëve.