Maradona sulmon Ferguson

Diego Maradona e ka quajtur menaxherin e Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson një “shaka e madhe” për komentet e tij ndaj Carlos Tevezit. Ferguson përkrahu menaxherin e Manchester Cityt, Roberto Mancini, pas incidentit të mesjavës në Ligën e Kampionëve, ku Tevez refuzoi të inkuadrohej në fushë si rezervist që më pas u përcoll me suspendimin e tij nga klubi, fillimisht për dy javë.
Por, bashkëkombësi i Tevezit, aktualisht trajner i ekipit Al Wasl nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ka kritikuar reagimin e skocezit Ferguson.
“Ferguson nuk duhet të fliste rreth kësaj, sepse ai u bë trajner i madh vetëm pasi mori futbollistë të mëdhenj, andaj nuk duhet të flasë rreth këtij incidenti. Ferguson e mbrojti Mancinin. Unë e njoh mirë Mancinin, por e njoh edhe Tevezin dhe nëse Ferguson nuk e di mirë rastin, ai nuk duhet të fliste, vërtet është një shaka e madhe”, tha Maradona para gazetarëve.
“Është vështirë që prej këtu të vlerësoni atë që ndodhi, por as nuk është hera e parë që ndodhi diçka e tillë. Kemi dëgjuar se Tevez nuk deshi të luajë dhe të vazhdojë të mbetet në Manchester City. Gjërat kanë dalë nga kontrolli”, përfundoi ai.