E Diel, 1 Nëntor 2026

Apolonia tërheq fanellën me numrin 11 të Kujtim Majacit

Apolonia nderon Kujtim Majacin, i cili u nda nga jeta përpara kohe, pas një infarkti të miokardit. Asambleja e klubit të futbollit është mbledhur urgjentisht gjatë pasdites së të premtes dhe ka marrë tri vendime të rëndësishme për të mbajtur lart emrin e ish-legjendës së qytetit të Fierit. Endri Puka, presidenti i Apolonisë, konfirmoi vendimet e marra nga Asambleja. "Fanella me numrin 11, që është mbajtur nga Kujtim Majaci, nuk do të përdoret më në skuadrën tonë. Një fanellë me këtë numër do të jepet në fund të çdo kampionati, si një trofe për atë që do të shpallet futbollisti më i mirë i sezonit tek Apolonia. Pra, ajo do të jetë në dispozicion të Akademisë, me qëllim që për çdo vit të nderohet lojtari më i mirë i të gjitha kohërave në Fier. Kjo do të pasohet nga një tjetër vendim, që lidhet me çeljen e një muzeu, për nder të Majacit. Aty do të pasqyrohet karriera futbollistike e këtij lojtari të madh në futbollin fierak dhe atë vendas, por edhe historia e ekipit të Apolonisë. Përballë Akademisë, në sheshin kryesor do të vendoset një memorial i Kujtim Majacit", konfirmoi drejtuesi i skuadrës. Vlerësimet për ish-lojtarin e Kombëtares, që vetëm 10 ditë më parë mori titullin "Qytetar Nderi" në Fier nuk përfundojnë me kaq. Asambleja vendosi edhe zhvillimin një herë në vit të një turneu që do të mbajë emrin "Kujtim Majaci". Aktiviteti do të zhvillohet në muajin gusht të çdo viti, atëherë kur skuadrat kryejnë fazën përgatitore, vetëm pak kohë përpara fillimit të kampionatit në Shqipëri. Aty pritet të marrin pjesë 5 deri në 7 ekipe, ndërsa të ardhurat e grumbulluara do t‘i jepen familjes Majaci.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›