Taçi te Bolonja, operacion 43 mln euro
Familja Menarini konfirmoi zyrtarisht akordin me manjatin shqiptar të naftës, Rezart Taçi, për shitjen e pjesës më të madhe të aksioneve të Bolonjës. "‘Aktiva Spa‘ (shoqëria që kishte në pronësi klubin kuqeblu) komunikon se ka nënshkruar marrëveshjen për shitjen e pjesës më të madhe të aksioneve të Bolonjës 1909 te grupi industrial i drejtuar nga inxhinier Rezart Taçi. Kalimi i pronësisë do të përfundojë në javën e parë të muajit gusht". 38-vjeçari, i cili drejton grupin "Taçi Oil International", ka paguar 24 milionë euro për të marrë në zotërim 80 për qind të skuadrës së Serisë A, por ai nuk do të jetë presidenti i ekipit. Në fakt, ky ishte një prej kushteve të vendosura nga pronarët e mëparshëm, ku presidente qëndron Françeska Menarini. Në total, vlera e operacionit kap shifrën 43 milionë euro, ku 19 milionë euro i kalojnë Ligës së Futbollit (Lega Calcio Serie A). Taçi bëhet shqiptari i parë në histori që zotëron një klub futbolli në kampionatin italian. "Negociatat nuk ishin aspak të lehta, pasi familja Menarini ishte mjaft e lidhur me skuadrën", zbuloi biznesmeni, që në të kaluarën ka tentuar të blejë edhe Livornon dhe Kaljarin. "Marrëveshja e firmosur dje (pardje) në mbrëmje do të hyjë në fuqi më 3 gusht. Së pari mund të them se është një kënaqësi personale që bëhem pjesë e tregut të futbollit në Itali. Synimi ynë është të përforcojmë skuadrën, për të qëndruar në elitë. Megjithatë, mund të them se nuk dua një ekip që renditet në vendet e fundit të klasifikimit". Ai premtoi se "gjatë vitit të dytë te Bolonja do të realizojmë një merkato agresive, për të përforcuar skuadrën dhe për ta bërë sa më konkurruese". Më tej, edhe dy fjalë rreth mundësisë për ta shndërruar ekipin në trampolinë të talenteve shqiptare dhe rikthimin e Milanit në Tiranë: "Ndoshta do të ketë një dritare për futbollistët shqiptarë në Serinë A, deklaroi ai. Për sa i përket trofeut ‘Taçi Oil‘, i shndërruar në traditë, këtë herë Milani do të ndeshet në Tiranë me Bolonjën".
Në Itali ka jetuar në vitet ‘90, periudhë kur studionte në Universitetin Politeknik të Torinos, ndërsa tashmë rikthehet si pronari i ri i Bolonjës. "Është e vërtetë që nuk kemi shumë eksperiencë, pohoi më tej Taçi, por do të jemi të rrethuar nga njerëz që e njohin mirë këtë fushë dhe do të angazhohem personalisht për ta konsoliduar skuadrën". Investimi në futboll është një vitrinë e mirë për ta përhapur biznesin edhe në Itali: "Mendoj se është mënyra e duhur për të ‘çarë‘ edhe në sektorin energjetik italian". Ndërkohë, tifozët e Bolonjës janë shprehur mjaft entuziastë për njëshin e ri të klubit. Menjëherë pas zyrtarizimit të lajmit, në forumet e tifozëve në internet ka shpërthyer "Taçi-mania". Ja disa prej sloganeve të mbështetësve kuqeblu: "Taçi na kthe mes të mëdhenjve", "Me Taçin 20 000 abonime" dhe "Faleminderit Taçi, mirëserdhe president".