E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apolonia "thyen" Lushnjën dhe hap garën për kreun

Apolonia fiton duelin për kreun e Kategorisë së Parë. Në javën e 24-t, skuadra e drejtuar nga trajneri Haxhiu, fitoi në sfidën direkte me Lushnjën dhe rikthehet në vendin e dytë. Fierakët përfitojnë edhe nga ndalesa e Bylisit në Gjirokastër dhe tashmë janë vetëm 1 pikë larg kreut. Goli që vlen më shumë se 3 pikët për fierakët u shënua nga sulmuesi brazilian, Xhunjor Uashington, që në minutën e 21-të ka përshëndetur rrjetën dhe ngritur peshë entuziazmin e të pranishmëve në stadiumin "Loni Papuçiu". Takimi është tensionuar në minutën e 75-të, kur gjyqtari Aranit Lulaj, pas njw sinjalizimi të asistentit, i ka anuluar miqve golin e barazimit. Për minuta të tëra, lojtarët lushnjarë kanë kërkuar shpjegime te vijërojtësi. Në fushë është futur edhe trajneri Bano, që ka provuar të qetësojë lojtarët e skuadrës, por ndërhyrja e tij ka sjellë acarimin e lojtarëve fierakë. Pas këtij episodi, ndeshja më e bukur e kësaj jave ka përfunduar mes tensionit. Me këtë fitore, Apolonia ngjitet në kuotën e 51 pikëve, kur mungojnë edhe 10 javë nga mbyllja e kampionatit,

Bylis, që nuk është shoqëruar drejt Gjirokastrës nga trajneri Faruk Sejdini (për arsye të panjohura), nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1 me Luftëtarin. Gjithsesi, ballshiotët arrijnë të mbajnë kreun e Kategorisë I, edhe pse tashmë ndjejnë nga afër Apoloninë dhe Lushnjën. Vendasit shënojnë të parët me Kaçin, vetëm pas 7 minutave lojë, ndërkohë që për të sjellë baraspeshën ka menduar ish-kapiteni i gjirokastritëve, Novi. Hapin e kryesueseve e mbajnë edhe Burreli me Adën, që fitojnë respektivisht 2-1 me Laçin dhe 3-1 me Turbinën. Në fundin e klasifikimit përkeqësohet situata e Tepelenës, që humbet 3-0 në fushën e Skraparit, ndërsa Erzeni dhe Tomori ndajnë nga 1 pikë.

Kategoria I

JAVA 24

Luftëtari-Bylis 1-1

Gramshi-Bilisht S. 2-1

Apolonia-Lushnja 1-0

Burreli-Laçi 2-1

Naftëtari-Dajti 2-1

Skrapari-Tepelena 3-0

Ada-Turbina 3-1

Sopoti-Pogradeci 1-0

Erzeni-Tomori 0-0

KLASIFIKIMI

Bylis 52

Apolonia 51

Lushnja 50

Burreli 46

Laçi 43

Ada 46

Bilisht S 34

Pogradeci 33

Luftëtari 33

Skrapari 33

Dajti 31

Turbina 31

Sopoti 27

Naftëtari 27

Erzeni 24

Gramshi 23

Tomori 20

Tepelena 10



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›