E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vllaznia, Sinani mjafton për të gjunjëzuar vlonjatët

Vioresin Sinani vazhdon të jetë deciziv për Vllazninë. Falë dy golave që sulmuesi realizoi të shtunën, verdheblutë triumfuan 2-0 përballë Flamurtarit dhe kanë mbajtur hapin e kryesueseve në "sprintin final" të kampionatit. Rrjetat e djeshme në "Loro Boriçi" (nga një, për çdo pjesë) i kanë shkaktuar edhe humbjen e parë ish-ndihmëstrajnerit të kombëtares, Slavko Kovaçiç. Tashmë, Sinani është i vetëm në klasifikimin për golashënues me 17 rrjeta të realizuara në 25 javë. Takimi ka filluar me shkodranët menjëherë në kërkim të avantazhit. Pasi kanë ushtruar ritmin e tyre në lojë, pas 10 minutash vendasit provojnë me Sinanin, i cili nuk arrin të shënjestrojë portën e mbrojtur nga i riu vlonjat, Shpëtim Moçka. Me kalimin e minutave, Flamurtari del nga gjysmëfusha e tij dhe në të 24-ën ka rastin më të mirë për të shënuar me Dedajn, por Armir Grima ka reaguar shumë mirë përballë të majtës potente të kundërshtarit. Goli i evituar ka ndezur sirenat e alarmit te kuqeblutë, që janë treguar më të kujdesshëm dhe kanë shfrytëzuar maksimalisht pakujdesinë e mbrojtësve kundërshtarë. Kur kronometri regjistronte 30 minuta lojë, Lika shkëputet bukur nga e djathta dhe kroson te Vioresin Sinani, që me të majtën përshëndet rrjetën. Deri në fundin e pjesës së parë, shkodranët kanë vazhduar të ngulmojnë për të shënuar golin e dytë, por pa kaluar dot bllokadën e krijuar nga portierin Moçka. Fraksioni i dytë i lojës ka filluar me një mundësi shumë të mirë të shpërdoruar nga Sukaj. Sinani ka gjetur një korridor të bukur për lojtarin e Shpresave, por ky i fundit gabon gjithçka në momentin e ekzekutimit. Edhe pse në avantazh, loja duket deri diku e barabartë, sepse vlonjatët nuk kanë pranuar të dorëzohen pa kushte. Begaj është shfaqur i vetëm me Grimën, por e majta e tij ka përfunduar jashtë. Në të 65-ën Vllaznia dyfishon: Sinani ekzekuton një goditje dënimi nga pozicion i prirët dhe topi përfundon direkt në portë, edhe sepse Moçka nuk ka qenë i pozicionuar mirë. Flamurtari ka provuar deri në fund të shënojë të paktën golin e nderit, por shtylla prish festën e Çanit, që tentoi me roveshatë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›